Suksesi për disa vjen më zor se tjerët!
Në Kosovë rol të madh ka vendbanimi, në Amerikë ngjyra e lëkurës!
Fansat e tenisit sigurisht njohin historinë e motrave Williams dhe dominimin në botën e tenisit që kanë pasur për njëzet vitet e shkuara. Shumë nga ne kujtojmë njërin nga prindërit me njërën motër të pranishëm në tribuna për të përkrahur tjetrën motër që ishte në fushë. I çuditshëm për mua ishte fakti që ndoshta kurrë nuk kam parë të dy prindërit në të njëjtën tribunë.
Dhe këtë e mësojmë më së miri në fund të filmit King Richard.
Filmi ka të bëjë me babanë e motrave Williams, Richard Williams dhe kontributin e tij në karrierën e të bijave të tija.
Ngjarja nis në fëmijërinë e hershme kur Richard ka bërë planin për Venusin dhe Serenën të bëhen teniste të famshme. Nga aty kemi një përshkrim kronologjik me detajet kryesore të këtij plani të Venus Williams kryesisht, pasi është motra e madhe, pa harruar edhe pjesët me Serenën që është ndër çastet më të këndshme të filmit.
Është film i Will Smith, në atë që mund të themi se është roli më i mirë në karrierën e tij deri sot. Ai është thjesht i mahnitshëm në portretizimin e Richard, si baba me plan. Anash aktrimit të Smith, dua të them a ka ndonjë baba me plan më të mirë. Disi ngulmimi i tij karshi të gjitha pengesave është motivues. Është një aktrim dhe një skenar që shkojnë për mrekulli njëri me tjetrin.
Në rolet dytësore janë Aunjanue Ellis si nëna Williams, Sanniya Sidney si Venus dhe Demi Singleton si Serena. Në rolet dytësore vijnë Jon Bernthal (The Punisher) dhe presidenti nga “Scandal” Tony Goldwyn – që të dy si trajnerë të motrave. Që të gjithë kanë vetëm një mision – për të dukur Will Smith të duket edhe më fantastik në rolin e tij.
‘King Richard’ është ashtu siç premton titulli, film për Richard Williams, babanë e motrave Williams, një rol që portretizohet për mrekulli nga Will Smith. Është i domosdoshëm për fansat e tenisti. Nota personale: 4/5
