Disa filma e kanë pjesën hyrëse aq të ngarkuar me emra sa që të bëjnë të harrosh krejt ngjarjen. Kur në 10 minutat e parë sheh Colin Firth, Mark Strong, Mark Hamill, Samuel L. Jackson, e Michael Caine, e di që diçka e mirë patjetër do të dalë nga ky film.
Taron Egerton, Geri, rekrutohet nga një shërbim sekret britanik që merret me misionet më të rëndësishme e të fshehta. Geri, për shkak të paraardhësit të tij supozohet se do të jetë rekrut i përkryer, dhe fillon trajnimin në këtë shërbim.
Karakteri i tij është pak që t’i kruan nervat, por për hir të filmit duhet të jetë ashtu, dhe kjo është falë një aktrimi që balancon ngjarjen.
Por, ylli, në këtë film, është Colin Firth. Që nga skena e parë kur takohet me Gerin dhe “bandën” e tij deri te njëra ndër skenat ma të “trenta” në histori të filmit.
Janë të rrallë filmat ku një skenë, një fjalim, i jep jehonën krejt serisë së filmave pasues, dhe skena e karakterit të Colin Firth, në kishë, pas atij fjalimi që përmbledh të gjithë faktorët për ta urryer nga një komunitet i tillë, është arsye e mjaftueshme për të shikuar këtë film, dhe jo vetëm një herë!
Me një grup aktorësh të përkryer për rolet e tyre, nën regji e skenar të Matthew Vaughn, i ndihmuar edhe nga Jane Goldman, “Kingsman: The Secret Services” është lindja e njërës prej serive të filmave më të mirë me temë spiunazhin, një klasik britanik që veç çka shkon e bëhet më i mrekullueshëm. Nota personale: 5/5

