Njëjtë si titulli, ky film është një përzierje e komedisë me krimin duke përfunduar një neo-noir botë në vete, dhe kjo falë aktrimit.

“Kiss Kiss Bang Bang” sjell njërin nga aktrimet më të mira të Robert Downey Jr., i cili ka një harmoni të mrekullueshme skenike me Val Kilmer duke sjell shumë skena që për ta janë serioze, por për shikuesin janë një lloj komedi e veçantë, disi e errët, marrë parasysh me ngjarjet që u ndodhin atyre.

Ngjarja fillon kur karakteri i Robert Downey Jr., Herri, duke ikur nga policia pas një vjedhjeje, e gjen veten në një provë për rol, të cilin nga kjo situatë e paraqet me emocione shumë origjinale, pasi edhe në jetë reale është duke i ikur ligjit, sa që mahnit producentët dhe siguron një biletë për në Los Anxhelos.

Aty takohet me mentorin, Perrin (Val Kilmer) dhe simpatinë e fëmijërisë, Harmonin (Michelle Monaghan), por taksirati do të vazhdojë ta ndjekë e ta fusë Herrin në situata gjithnjë më të çuditshme e më komike e më të pabesueshme.

Skenari duket të jetë si lojë fëmijësh, por aktrimi i të gjithëve është fenomenal, dhe ajo çka e bën këtë njërin ndër filmat më të nënvlerësuar të Robert Downey Jr. Nota personale: 4/5