Knock Knock (2015)

Knock Knock (2015)

Taksirati i zë edhe njerëzit më të mirë, e nga kjo nuk shpëton as karakteri i Keanu Reeves.

Ndonëse, jo shumëkush do ta quante taksirat atë që i ndodhë karakterit të tij, Evanit, një arkitekt, kryefamiljar i devotshëm ndaj gruas dhe fëmijëve, i cili mbetet vet në Ditën e Baballarëve, pasi gruaja e tij artiste do të shkojë për të kryer një projekt për vikend.

Me t’u larguar ata, duke shijuar muzikën, qetësinë, dhe punën e tij, Evanit i shfaqen në derë dy vajza që kërkojnë ndihmë nga stuhia e papritur që kishte rënë, të lagura qull bashkë me telefonat e tyre jashtë funksionit.

Ajo që nis si një vepër bamirësie, merr një drejtim krejt tjetër me vazhdimin e natës.

Keanu Reeves vjen në një rol që sa jemi mësuar ta shohim, edhe më shumë nuk jemi mësuar ta shohim, megjithëkëtë bën një punë fantastike. Është një karakter që mund të vë në lajthitje një pjesë të shikuesve.

Karshi tij, në rolin e Xhenesis dhe Bellës janë Lorenza Izzo, dhe Ana de Armas me njërin nga rolet e saja të hershme në Hollywood. Të dyja kanë një harmoni të flaktë mes vete, duke krijuar një baraspeshë të roleve karshi Reeves që i jep zjarr filmit pa njohur kufij të zhvillimit të historie.

Nëse provojmë të zhytemi në thellësi të ngjarjes, skenarit, ndonëse i bazuar në një film të vitit 1977, e tash në regji dhe skenar të Eli Roth, mund të hasim shumë mospërputhje, sidomos nga fansat e vërtetë të filmit që u intereson më shumë substanca.

Ata që nuk lodhen për të kuptuar filmin dhe preferojnë vetëm ta shikojnë do ta shijojnë në masë të madhe “Knock Knock.” Sidomos fansat e Ana De Armas. Nota personale: 3/5