Ëndrrat nuk kanë kufi.
Ndonëse po jeton jetën e ëndrrave, Po tash fillon të mendojë për një gjë tjetër, një ëndërr të re.
Por, këto ëndrra ndërpriten kur Lord Sheni fillon të ndërtojë një armë të re që do të shfarosë zanatin e Kung Fu-së dhe të pushtojë Kinën. Dhe në krejt këtë katrahurë, Po fillon të mendojë për origjinën, për të kaluarën, dhe fillon të kërkojë përgjigje duke pyetur babanë e tij adoptues, Pingun.
Për dallim prej filmit të parë, këtu Po ka edhe përballje të jashtme me armiqtë e rinj, edhe përballje të brendshme, me vetveten, identitetin e tij.
Ky zhvillim përkon me ato që ndodhin zakonisht në filmat e dytë me heronj, kur kthehemi një hap mbrapa derisa vazhdojmë të lëvizim para, sidomos karakteri kryesor.
Filmi mbetet në të njëjtin nivel me të parin në aspektin teknik, është i bukur për sy, i kënaqshëm për t’u parë, nuk vonon shumë. Edhe prurjet e reja në zëra si Gary Oldman, Michelle Yeoh, e Jean-Claude Van Damme i japin freski filmit duke e bërë edhe më të kënaqshëm për t’u parë.
Fakt interesant është që regjisorja Jennifer Yuh Nelson, e ngritur në detyrë nga filmi i parë, bën goxha punë të mirë në debutim, pa tentuar të komplikojë historinë për t’ia dhënë penën e saj, por duke e mbajtur në binarë me filmin e parë dhe duke e ngritur në aspekt kreativ në plan të parë, dhe goxha bukur edhe në aspektin vizual.
“Kung Fu Panda 2” është në nivel me filmin e parë, zhvillohet bukur dhe mençur, dhe ofron kënaqësi për të gjithë fansat që e kanë gjetur një hero të papritur në Luginën e Paqes në filmin e parë. Nota personale: 5/5

