Në mesin e shumë citateve të pakonfirmuara, ndoshta edhe është i vërtetë, është ai që i atribuohet Bill Gates i cili gjoja thotë se “më mirë e punësoj një të ngathët, të mërzilaftë që themi ne, se sa një perfeksionisti me diplomë…” sepse siç thoshte ai, kinse, i mërzilafti e gjen rrugën më të shpejtë për të kryer punën.
I “mërzilaftë” është normale të jesh në Luginën e Paqes, ku në Kinën antike jetonin kafshë të ndryshme, e në mesin e ishte Po, një fans i kung-fu, i cili punonte në restorantin e prindërve që e kishin adoptuar.
Si në antikitet, një vizion tregon për një rrezik që po i kanoset luginës, dhe tash duhet të zgjedhin më të mirin për t’u përgatitur për mbrojtjen e tyre.
Krejt papritur në këtë garë Po del më i miri, dhe tash duhet të stërvitet nga Shifu dhe heronjtë e tij, 5shja e Mrekullueshme. Veçse problemi është se Po nuk ka lidhje me Kung-Fu, dhe krejt kjo do t’u shkaktojë kokëçarje mësuesve të tij, e edhe shterim shpresash atyre që presin nga ai.
Besoj që shumica e dinë këtë histori, por është kjo që e bën këtë film, këtë seri filmash të mrekullueshme për një mbrëmje familjare siç duhet të jetë e premtja.
Është një histori që e sjell një karakter që ka shumëçka që duket negative në plan të parë, nga mosha e pesha, te sjelljet e vendi i tij në shoqëri – gjithçka e bën Po-n një asgjë. Dhe i mbetet atij të dëshmojë të kundërtën, t’ia dalë aty ku nuk e pret askush, dhe kuptohet, ta dëshmoj atë fjalinë e Billit.
Jack Black është i përkryer për zërin e Po, e pastaj edhe zërat ndimës, nga Seth Rogen e Ian Mcshane, te Lucy Liu e Jackie Chan, ndihmojnë në një ansambël me harmoni të përkryer. Kësaj i ndihmon edhe animacioni me nuanca kineze që pos që e bën më ndryshe nga filmat e tjerë të animuar të asaj periudhe, i jep edhe një lloj origjinaliteti historisë së Posë.
Filmi i parë është një hyrje e përkryer në një botë të lezetshme, bukur të ndërtuar të Posë. Nota personale: 5/5

