Kung Fu Panda 3 (2016)

Kung Fu Panda 3 (2016)

Historia e Posë vazhdon, dhe zhvillimi i kësaj historie ka njëfarë substance, kuptimi në vete, derisa ruan origjinalitetin dhe bukurinë që ka sjellë në dy filmat e parë.

Përgjegjësitë e Po vetëm sa vazhdojnë të rriten, e edhe rrethi i tij. Me pozitën e tij të re, ai niset në një mision të ri për të përforcuar aftësitë e tij të një mjeshtri të kung-fu. Në këtë mision, si zakonisht, ai mëson shumë edhe për familjen dhe traditën e botës përreth. Kësaj radhe pranë vete ka të atin e tij të vërtetë, biologjik, me të cilin shkojnë në një oazë pandash ku Po do të mësojë edhe më shumë për veten.

Filmi, në aspektin teknik vazhdon të jetë në nivel, me emrat kryesor që kthehen, e Hans Zimmer merr muzikën mbi supet e veta tërësisht. Animacionet janë në nivel, bukuritë skenike vazhdojnë të jenë përrallore, e edhe karakteret e reja, kryesisht pandat, janë bukur të sjella në ekran.

Pesëshja e zërave kthehet, Bryan Cranston e JK Simmons marrin edhe më shumë hapësirë, duke e bërë filmin edhe më të këndshëm, e të tjerët si gjithmonë janë në krye të detyrës.

Dikujt mund t’i duket sikur mbetet më pak në kualitet për shkak të atyre pjesëve emocionale dhe shpërthyese që jemi mësuar t’i kemi te dy filmat paraprak, dhe kjo ndikon në një qasje më të butë, e për dikë mund të duket një pjesë e tretë e filmit pak nën nivelin final të dy filmave të parë.

Por, për fansat e Kung Fu Panda, kjo nuk zbeh kënaqësinë, e aq më pak të dalë zhgënjyes në fund. Nota personale: 4/5