Bosnja e Hercegovina mbrëmë ishte zhgënjim total.

Kam pritur shumë më tepër nga një kombëtare që eliminonte Italinë, jo që edhe ata janë ndonjë mall i mirë, por mbrëmë, shumë, shumë qasje qyqare.

Ndoshta mungesa e përvojës dhe presioni e ka bërë të veten, por kjo nuk u pengonte të zhagiteshin e të zhyteshin në bar sikur të ishin në pishinë.

Lojë e fëlliqur, sikur të ishte kombëtare nga Amerika Jugore.

Sikur të ishte Paraguai.

VAR-i

Para tetë viteve, paraqitja e VAR-it në Rusi shihej si skandaloze, shumë teknologji, ndërkohë sot, shumëkush shokun ma të mirë e ka një aplikacion ai, që të them të vërtetën, po na bën ma budallenj.

Njëkohësisht, teknologjia po ndalon tjerët të na bëjnë budallenj, apo sikur mbrëmë Almironin ndaj Makkelies.

Nuk ishte mirë që u vonua tepër, por ndërhyrje të tilla nga VAR-i vetëm sa e bëjnë më të përkryer lojën dhe teknologjinë në të.

Kthim mbrapa nuk ka, dhe shtimi i disa rasteve që mund të pasojnë me ndikim në rezultat – kontrollimi i kornerave, gjuajtjeve të lira sikur mbrëmë, e rasteve të ngjashme e bën përdorimin e VAR-it më të përsosur, dhe njëkohësisht lojën më të pastër.

Agresiviteti

32 vite më parë, referimi ishte parë si një proces i ashpër i referëve të cilët nuk falnin. Një lojë më agresive, më burrërore, e cila tash edhe parandalon zhegitjen, me rregulla më rigoroze, është në të mirën e të gjithëve.

Tekefundit, kush do zhagitje i ka dy pushime të shkurtra në mes të pjesëve.

Prapë i kthehem boshnjakëve të cilët disa herë provuan të vonojnë lojën, kur kishte më pak kohë të kaluar se sa të përfundonte ndeshja, në pjesën e parë, dhe një rast i Freeman i cili “e ndjeu” dhimbjen, dhe dikur u ngrit kur nuk mori çehre nga referi.

Pulisic

Si milanist, i përvuajtur ashiqare, të shihje Pulisicin në formën e mbrëmshme tregon më së miri mjerimin e futbollit italian.

Të zhytur në taktikat makabre të tipave si Allegri, Conte, Spalletti, e deklaratat e Capellos, Italia po e merr atë që meritonte nga ofendimi i Materazzit dhe anti-futbolli që bëjnë – tri Kupa të Botës pa pjesëmarrje.

Pulisic mbrëmë ishte ringjallur, i pandalshëm, dhe në pozitën e tij natyrale.

Ndihej sikur një djalë i liruar nga robëria e Massimiliano Allegrit.

Krejt Amerika ishin ashtu, falë Pocchettinos, i cili arriti të bëj një kombinim të përkryer për të çmontuar Paraguain, gjithmonë anemik në përballje të mëdha.

Loja e mbrëmshme e SHBA-së ishte ndër më të mirat që kanë bërë këta në ndonjë Kupë të Botës.

Marr parasysh sa “mbrapsht” po shkon bota, mund edhe të befasojnë kësaj radhe me ndonjë aventurë deri thellë në korrik.

Sot…

Zvicra edhe Skocia duhet të mos gabojnë si Bosnja dhe të mbushin portën e Katarit dhe Haitit. Edhe të dyja e bëjnë.

Te Zvicra mezi pres debutimin e Andi Zeqirit dhe Uran Bislimit (nuk janë të ftuar), dhe në të njëjtin emocion do të doja të shihja Brazilin të shpartallohej nga Maroku, ani pse është e pamundur.

Objektivisht, Ancelotti është trajner pragmatik dhe di si të fitojë. Brazili ndoshta mund të arrijë më të mirin rezultat në pesë kampionatet e fundit, e edhe më shumë.

E në ndeshjen e fundit, janë 1000 arsye për të qenë për Australinë, dhe unë jam me 1001 arsye për të përkrahur ata.

21:00 Katari – Zvicra

00:00 Brazili – Maroku

03:00 Haiti – Skocia

06:00 Australia – Turqia