Pas ndeshjes së parë, kishte deklarata që futbollistët saudit kanë mësuar nga bashkëlojtarët e tyre të rinj, si janë formësuar më mirë, janë më me përvojë, dhe ishte diçka që dukej ashtu, pas barazimit me Uruguain.
Por, asgjë nuk paskan mësuar.
Me Spanjën nuk është marre të humbësh 4-0, por të barazosh, me Kepin e Gjelbër, që mezi i kalon 500 mijë banorë, atëherë domethënë që nuk je për këtë sport, dhe nuk është marre ta pranosh.
Me 2.5 miliardë të shpenzuar viteve të fundit për të sjellë e paguar edhe anonim që nuk gjejnë vend në kombëtare më të vogla, Arabia Saudite përgatitej për një revolucion, që dukej se filloi katër vite më parë, por tash, në retrospektivë, mund të jetë vetëm pjesë e një marrëveshjeje turizmi.
Turistë ishin edhe në këtë Kupë të Botës, e ashtu duket se do të mbeten edhe për një kohë të gjatë, duke mos qenë në gjendje të luftojnë as për Kupën e Azisë.
Paratë dhe dëshira nuk mjafton, aq më pak numri i popullsisë, dhe Kepi i Gjelbër po na e dëshmon më së miri këtë.
Kina
India dhe Kina kanë gati një të tretën e popullsisë së krejt planetit, dhe nuk mund t’i gjejnë 22 lojtarë të hajrit për t’i kualifikuar në Kupën e Botës.
Disa vite më parë, Kina tentoi të bënte atë që po bën Arabia Saudite, por e pa që kostoja nuk mbulonte kthimin, dhe i ranë vijë, sa më herët aq më mirë. Gjithashtu, shumë ekipe kineze falimentuan, përfshirë edhe kampionë, por plani i Xi Jinpeng për Kinën si superfuqi në futboll dështoi para se të niste si duhet.
India njëjtë po provon të merret me organizimin e Olimpiadave, sepse futbolli është larg, por pos 10 lojtarëve të kriketit, nuk po gjejnë diçka të hajrit, as në hokej mbi bar.
Këto dy fakte, tri me Arabinë Saudite, rrëzojnë pa u ngritur idenë injorante që bashkimi bën fuqinë, një kombëtare më mirë se tri.
Numrat kurrë nuk kryejnë punë, as paratë, as vjelja e produkteve të gatshme nga Perëndimi.
Për të pasur një kombëtare, duhet kulturë sporti, e kjo vjen pas kulturës familjare, shkollore, disiplinës, angazhimit, dhe mbi të gjitha, mentalitetit.
Kosova
Kosova nuk duket se po punon mjaft në këtë drejtim, por po përqendrohemi te rezultatet.
E rezultatet një herë janë të mira, një herë të këqija, dikur katastrofë, pastaj të mrekullueshme.
Me rrebe.
Nëse Kepi i Gjelbër me 2 milionë diasporë, e 500 mijë vendas arrin të gjejë 23 lojtarë që nxjerrin tri barazime, ndaj vendeve që kanë dhjetëra milionë banorë e mijëra lojtarë profesionistë, edhe Kosova mund të arrijë këtë.
Por, Kepi e ka arritur këtë përkohësisht, një herë në histori.
Kroacia dy herë radhazi ka mbërritur në gjysmëfinale, tri herë në histori.
Ekspertizën e kemi shumë afër, dhe duhet të marrim mësime, për një sukses të përhershëm, afatgjatë.
Sot…
Dita e fundit e lodhshme mbaron sot, dhe vetëm pas kësaj nis Kupa e Botës qysh duhet, pa taktizime, pa llogaritje, thjesht luftë deri në fund, për çdo top.
Austria e Algjeria kanë një hesap të paqëruar qe 44 vite, Kroacia shpresoj të mos më merr fytyrën pas asaj që thashë më lart, e Anglia ka filluar të gjejë arsyetime pse e qysh po dështojnë, dhe prandaj në shtëpi kthehen duarthatë, si gjithmonë.
23:00 Kroacia – Gana & Panama – Anglia
01:40 Kongo – Uzbekistani & Kolumbia – Portugalia
04:00 Algjeria – Austria & Jordania – Argjentina

