Këto kombëtaret e dobëta, që po i nënçmojmë të gjithë, po të kënaqin.
Po luajnë futboll pa komplekse, të drejtpërdrejt, edhe kur po vijnë para golit, sikur nuk dinë të shënojnë gola “normal.”
Vende si Haiti po të kujtojnë futbollin e bukur, klasik, pa shumë mendime e llogaritje.
Mbrëmë, njëkohësisht, kënaqeshin ata që shikonin Haitin kundër Marokut, në një lojë të hapur, të bukur, të rrjedhshme dhe me gola shumë të bukur.
Njëkohësisht, e kishim Skocinë që filozofonte kundër një Brazili që dalëngadalë po përqafon të kaluarën.
Ancelotti
Duket se Carlo Ancelotti ka gjetur ilaçin për të kthyer në jetë Brazilin. Dhe skuadrave që kanë cilësi, talent individual, krejt çfarë u duhet është një lider, selektor, që di të menaxhojë ata individë dhe t’i kthejë në një lojë ekipore.
Përzgjedhja e lojtarëve të Brazilit për këtë Kupë Bote është tipike e Ancelottit – më shumë karaktere e histori se sa talent apo sukses në sezonin e kaluar.
Është e kundërta që ka bërë Miroslav Koubek, i cili për një moment më është përzier me portierin e njohur çek të viteve 90ta nëpër Bundesligë.
Çekia
Koubek ka kthyer disa lojtarë që nuk kanë luajtur me vite te Çekia, ka angazhuar disa të rinj që kurrë nuk kanë prekur topin për kombëtaren e Çekisë, duke lënë jashtë disa lojtarë, ndoshta me ego të tepruar, por jashtëzakonisht të mirë.
Në përfundim, Çekia shkon në shtëpi, dhe është krejt e kundërt me atë që ofron Haiti.
Problemi i Kupës së Botës janë këto ekipe si Çekia, Turqia, Belgjika, që vijnë me shumë llafe, dhe pastaj u mbyllet goja.
Është një pandemi kombëtare, inspiruar nga emra individual, yje të Instagramit, të cilët në fushë mendojnë se llajkat ju pasojnë topat.
Ragbi
Ngjashëm edhe skocezët, plot llafe e krenari, në fund mezi që mposhtën Haitin, dhe ishin katastrofë mbrëmë kundër Brazilit. Është një qasje e kundërt me atë që zakonisht ka një komb që preferon ragbin.
Prandaj, Afrika Jugore, Skocia, e Uellsi, janë super-fuqi në ragbi sepse aty kanë një tjetër qasje, krejt ndryshe, nga kjo që bëjnë në futboll.
Sistemi
Është çështje kohe para se edhe Kupa e Botës të kthehet në sistemin zviceran. Bile, do të preferoja atë të Counter-Strike – dy humbje radhazi edhe te shpia.
Bosnja e Hercegovina dhe Afrika Jugore u zgjuan vonë nga gjumi, para se të na fusnin në gjumë në dy ndeshjet e para.
Kritikat janë të pakta sa duhet të jenë vokale kundër ekipeve të tilla.
Kupë e Botës e viteve 1930ta nuk mund të bëhet – sistem eliminimi direkt, si një turne tenisi apo siç ishin kupat evropiane deri në vitin 2000, apo Liga e Kampionëve deri në 1992.
Por mund të bëhet sistem zviceran.
Por edhe nuk mund të bëhet sepse mundësia për të komanduar shortin mbetet inekzistente, sepse nuk mund të shkosh deri në finale rehat siç bënin disa shtete, në veçanti Spanja e vitit 2010 – Kupa e Botës ma e keqe ndonjëherë.
Sot…
Boll zor ka qenë m’i kqyr katër lojë, e tash menjëherë gjashtë, edhe atë nga dy njëkohësisht, por edhe dy ditë, edhe pastaj kthehemi në binarë, ashtu si duhet të shijohet kjo garë – eliminime, pa taktizime.
Pres edhe një turpërim kombëtar të Turqisë, dhe tjerat nuk kanë aq rëndësi. Do të doja Japoninë të fitonte grupin, por nc. Gjermania mund të befasohet, ashtu si Bregu.
Ndoshta mundësia më e mirë për grupin F është të përfundosh i treti dhe të shmangësh Brazilin e Marokun. Edhe më e mirë është pozita e dytë në D pasi të le përballë Iranit, Belgjikës, apo Egjiptit. Nejse…
22:00 Kurasao – Bregu i Fildishtë & Ekuadori – Gjermania
01:00 Tunizia – Holanda & Japonia – Suedia
04:00 Turqia – SHBA & Paraguai – Australia

