Në fakt Bosnja e Hercegovina, por kur sheh ata dhe futbollin e tyre, ndonëse me goxha lojtarë papërvojë në gara të mëdha, e ekipe të mëdha, prapë disi të merr mallin për atë futbollin e kotë italian, defansiv, të mërzitshëm, me një shut në gol.
Dhe tash, presin të kthejnë Mancinin, i cili megjithatë është më i mirë se kriminelët Conte e Allegri, por prapë, gjithçka për futbollin italian është e gërditshme sot, përfshirë edhe gjyqtarët të cilët në këtë Kupë Bote, vetëm dje, do të kishin akorduar së paku dy penallti më shumë në ndeshjen e Kanadasë, dhe një penallti shtesë për Afrikën Jugore.
Evropa
Falë kombëtareve si Çekia, Bosnja e Hercegovina, e Zvicra, vetëm dje, pa harruar edhe vendet e gadishullit Iberik në rrethin e parë, Beneluksin e Azinë e Vogël, nuk po na merr malli për Italinë.
Vendet evropiane kanë qenë të gërditshme në këtë edicion të Kupës së Botës, të turpshme, me një lojë që nuk u falet.
Hajde ne në shtëpi e ndalim televizorin dhe ia fusim gjumë, por ata që kanë shpenzuar mijëra euro e kilometra për t’i parë në stadium, dhe përsëri përfundojnë si ne, në gjumë.
Është një lloj pandemie anti-futbollistike, sigurisht e nxitur nga idetë pragmatike të përqendruar në rezultat e larg lojës së bukur.
Prandaj, ndeshjet më të bukura në këtë Kupë të Botës kanë qenë ato ndërmjet dy vendeve jo-evropiane, dhe ajo mes Anglisë e Kroacisë.
Kudo që ka pasur vend evropian, përjashto skandinavët dhe Gjermaninë e Francës, nxitur nga kundërshtarët, ndeshja ka qenë e përgjumur.
Skllavëria
Kur sheh vendet tjera të gadishullit arab, gjirit Persik, sheh një zemër te futbollistët, te tifozët, një dashuri për futbollin.
Kur shikon Katarin, sheh plastikë, sikur ato lulet e plastikës nëpër dhoma që duken të bukura, por kur afrohesh disi të zhgënjejnë sa më s’ka.
E përbërë nga lojtarë të “blerë” si talente nga vende të varfra, për t’u zhvilluar në Katar që të arrijnë moshën dhe kushtet për të përfaqësuar Katarin, kombëtarja është më falset në fushë.
Më thjesht, Katari duket si një kombëtare skllavesh, por në suaza të modernes.
Sado që mundohen, në fund zero, sepse nuk ka zemër në atë kombëtare, dhe kjo shihet edhe nga aeroplani.
Edhe lojtarët duken si të penduar, si të forcuar të luajnë, të jenë aty, sikur skllevër që duhet të bëjnë punën e tyre, me zor, pavarësisht shpërblimeve që mund të marrin.
Është e frikshme.
Sot…
Amerika dhe Australia duhet të jetë një super-ndeshje, në nivel me paraqitjet e Meksikës dhe Kanadasë në dy ndeshjet e para, të parezervuara, me futboll ofensiv, pa menduar fort.
Skocia dhe Maroku në letër është ndeshja më e bukur për sonte, sidomos marr parasysh renditjen që kanë në tabelë pas ndeshjeve të para, me të dyja që ju nevojitet fitorja për një garanci më të madhe.
Brazili duhet të sakatojë Haitin, e Turqia me Paraguain ndoshta do të jetë njëra ndër ndeshjet më të këqija të këtij edicioni – dhe kjo falë trajnerit dhe federatës që kanë turqit. Ego dhe mentalitet skizofren.
21:00 SHBA – Australia
00:00 Skocia – Maroku
02:30 Brazili – Haiti
05:00 Turqia – Paraguai

