Me një lojtar më shumë në fushë për më shumë se gjysmën e lojës, Irani do të duhej të fitonte, ose së paku të rrezikonte më shumë portën e Courtois, por nuk ia dolën.

E kur e mendon pak më thellë, e kupton se nuk është lehtë nga aeroplani të shkosh në fushë e të fitosh kundër një kundërshtari, në një lokacion deri diku armiqësor, me fishkëllima e të ngjashme nga shikuesit.

Po, do të jetë më politike sot kjo kolumne, e nëse shohim mbrapa këto 12 shkrime, secili ka qenë më shumë gjëra jashtë futbollit se futboll!

Arabët

Dallimi mes arabëve dhe persianëve si dy kombe myslimanësh, para se të ndahen në sekte, është aty pranë Eufratit e Tigrit, dhe po u zhytëm më thellë, mund të përfundojmë në një vrimë urithi, dhe panevojshëm të prishim ditën, kur e dimë që si individ kemi efekt minimal në shoqëri e në politika globale.

Megjithëkëtë, nuk domethënë të jemi të heshtur ndaj asaj që e quajmë të padrejtë.

Së paku nuk jemi nga ata që punojnë vetëm si pasqyrë – transmetojnë mendimet e tjerëve pa i analizuar a formësuar një mendim të tyre për një çështje, sado minimale që është ajo për nga rëndësia në jetën e tyre.

Prandaj, në plan të parë, kjo që po ndodh mund të na duket një luftë mes Amerikës e Iranit, e nëse shkojmë pak më thellë, shohim se aty kemi edhe arabët, izraelitët, e aktorë tjerë politikë, e më së paku kjo ka të bëjë me fe!

Sepse askush nuk e fenë kur “zoti” i tyre bëhet dollari!

Hungaria

Ndeshjen me Izraelin, ku ne jemi si mysafirë do ta luajmë në Hungari, si zakonisht.

Nuk do të jetë as e para e as e fundit ndeshje me ta, ndonëse nuk do të duhej të ishte fare ndeshje me ta.

Irlandezët kanë qenë më vokal kundër pjesëmarrjes së tyre, por edhe ata karshi lobit të tyre janë të pafuqishëm.

Nuk është lehtë të jesh kundër një entiteti që masakron dhjetëra mijëra fëmijë, shfaros gjithçka të gjallë e të betonuar, kryen një gjenocid kundër të cilit nuk bë zë askush, edhe nëse je Irlanda, e lëre më Kosova.

Është veç edhe një tregues që drejtësia në këtë botë është iluzion dhe selektive, e ne si popull i masakruar vetëm 27 vite më parë, përsëri vendosemi në një peshore me masakruesit.

Në fushë, jashtë e brenda Kosovës, jemi më të mirë derisa i përmbahemi planit.

Sot…

Dy finalistët e fundit zbresin në terren sonte, dhe në atë që duhet të jetë një vazhdim i formës së tyre drejt një finaleje tjetër.

Në rrugë drejt asaj finaleje sigurisht është Spanja, dhe dje e vërtetoi pse janë favoritë, dhe nuk duhet të anashkalohen në asnjë mënyrë.

Do të jetë interesante të shohim çfarë rotacione do të bëjnë në formacion Deschamps dhe Scaloni, ndonëse nuk pres shumë ndryshime.

Asnjëra s’duhet të kenë problem, e Norvegjia me Senegalin duhet të jetë loja më e mirë e ditës. Në mëngjes, Algjeria mund të befasohet nga Jordania, ndonëse janë shumë, shumë më të mirë në letër.

19:00 Argjentina – Austria

23:00 Franca – Iraku

02:00 Norvegjia – Senegali

05:00 Jordania – Algjeria