Ditë e mirë për fansat e individëve që luajnë lojën e topit me këmbë.
Yjet e tyre filluan të zënë hapësirën e duhur para kamerave, dhe kjo e bën këtë Kupë të Botës më të bukur. Si zakonisht, çdo shfaqje ka nevojë për një hero dhe antagonist që të ketë kuptim, dhe pavarësisht të bëmave e skenarit, audienca e zgjedh heroin dhe antagonistin, shpesh siç e sheh, edhe më shpesh siç i diktohet.
Më e rëndësishmja është që shfaqja të ketë audiencë.
Tunizia
Sabri Lamouchi, ylli i Parmës dhe Francës, nuk është më trajner i Tunizisë, dhe kjo nuk është asgjë se një shenjë, dëshmi, që vendet e vogla dhe të papërvojë bëjnë vendime të nxitura, dhe këto afrikanet ndoshta të inspiruara nga suksesi i Bregut të Fildishtë në Kupën e parafundit të Afrikës.
Me këtë ritëm, të tri kombëtaret e mbrëmshme do të duhej të ndryshonin trajnerët, apo siç u themi “selektorët” pasi këta zgjedhin, nuk trajnojnë – filozofi e kotë, e di!
Algjeria u turpërua, me plot meritë, por nuk dallon prej qasjes që kanë vendet e Afrikës Veriore, më saktë, vendet arabe. Ngjashëm edhe Egjipti luante kryesisht me një mungesë disipline kundër Belgjikës, gjë që i kushtoi me barazim, dhe ashiqare me disa raste të humbura.
Iraku mbrëmë u demolua nga Norvegjia, me disa gabime fillestare, të ngjashme me ato të Algjerisë, e njëjtë shkoi edhe Jordania, e cila megjithatë tregoi shpirt më luftarak në mbrojtje.
Mangësitë e këtyre kombëtareve janë zakonisht te mbrojtja ekipore, dhe shpesh e shohim si tranzicioni në mbulimin e lojtarëve është katastrofë në vete, me një gjuhë popullore “shoku shokun e le në lloç.”
Sot…
Shumica presin që pas Mbappes, Haalandit, e Messit, sonte të kalojë në skenë Cristiano Ronaldo.
Roger Milla ka mbajtur rekord veç pse ka shkelur në fushë si 40 vjeçar rreth 40 vite më parë, ndërkohë këta sot po luajnë për më të mirin në këtë moshë. Kanë ndryshuar kohërat, shumë.
Më shumë presion mbi supe ka Harry Kane, të dëshmojë se nuk di të ndalet së shënuari edhe në Kupën e Botës, jo vetëm në Bundesligë.
Ndoshta është nata e parë ku mund të flemë rehat, jo që nuk kemi fjetur disa nga ne, duke parë ndeshjet që zhvillohen pas mesnate.
19:00 Portugalia – Kongo
22:00 Anglia – Kroacia
01:00 Gana – Panama
04:00 Uzbekistani – Kolumbia

