Është kënaqësi kur sheh kombëtaret nga të cilat nuk pritet asgjë të arrijnë suksese të papritura.

Kjo është ajo që e bën Kupën e Botës, edhe vet sportin një emocion të papërshkrueshëm, njëlloj obsesioni që zgjon diçka në neve, diçka rebele, kundërshtuese ndaj nënshtrimit.

Kjo është ajo që na bën njeri.

Dhe e kundërta na bën psikopat!

Cannobio

Në ndeshjen e Uruguait me Arabinë Saudite, Agustin Canobbio çoi peshë krejt bankinën e kombëtares së tij pas një gërvishtje minimale, të paqëllimtë. E gjithë ajo britmë do të mendoje se theu ndonjë asht, por kur e sheh në reprizë, e kupton që referi bëri të duhurën që nuk e ndali as faull.

Pak më vonë, të njëjtit iu zbath këpuca në zonën e Arabisë Saudite, dhe përsëri kërkonte penallti, pa asnjë arsye normale.

Janë raste si këto që e bëjnë futbollin latino-amerikan të fëlliqtë, dhe krejt kjo ka një pikënisje – Neymarin!

Rrokullisjet nëpër fushë janë suksesi më i madh që ka arritur në kombëtaren e Brazilit, dhe ky do të mbetet edhe tutje.

Miliardat

Arabia Saudite ka investuar miliarda në sjelljen e futbollistëve në ligën e tyre profesioniste, dhe po sheh frytet e para.

Dje pamë një Arabi Saudite krejt më ndryshe nga zakonisht – një portier të pakalueshëm, dhe një ekip në fushë që nuk kishte frikën të sulmonte e të luante futbollin e tyre.

Si arrihet kjo?

Vetë në një intervistë, cituar nga një komentues televizioni të huaj, golashënuesi Al-Amri kishte thënë se ardhja e futbollistëve të huaj në ligë u ka mësuar për sjelljet, lojën, jetën, dhe përgatitjen psiqike si të luajnë kundër ekipeve të mëdha.

Me një fjalë, arabët nuk kanë blerë lojtarë e trajnerë, kanë blerë përvojën, diturinë, talentin e tyre për ta adaptuar tek vet lojtarët e tyre, ekipet e tyre, dhe kështu janë kthyer në një kombëtare më e përgatitur në çdo aspekt.

Sigurisht, nuk mund të presim tituj nga ta, por mund të jenë bazat e një të ardhme të mirë, e cila kushton miliarda dollarë, por kur janë për futboll, askush nuk bën llogaritjet. Sidomos kur pret që tetë vite më vonë të kesh një kombëtare që lufton për medalje në Kupën e Botës që organizon vetë.

Sot…

Secila bazë e fansave sonte do të ketë një ndeshje në tri terminët e para, dhe pastaj fansat e Ralf Rangnick, ne pleqtë që zgjohemi nga gjumi në mëngjes, mu në kohë për të parë Austrinë.

Ashiqare do të doja të shihja Senegalin t’i shkaktonte kokëçarje Francës, por zor që ndodh kjo. Ndeshjet tjera nuk duhet të kenë shumë paqartësi.

21:00 Franca – Senegali

00:00 Iraku – Norvegjia

03:00 Argjentina – Algjeria

06:00 Austria – Jordania