I miri në futboll vlerësohet nga perspektiva të ndryshme, varësisht çfarë dëshiron t’i të shohësh në terren – gola, pasime, driblime, ndërhyrje, pisllëqe, bukuri… ti e zgjedh më të mirin, varësisht edhe prej ndikimit që ka rrethi në ty, apo që ke ti në rreth.
Këtu i kemi dy karaktere njerëzisht – ata që adaptohen në turmë, dhe ata që më parë do të zhduken e të mbeten të humbur në vetmi se sa të adaptohen në turmë.
Kane
Në sezonin e vitit 2020-21 në Tottenham, në shumicën e tyre në fakt por i parafundit ishte më i veçantë, Harry Kane ka treguar sa futbollist i përkryer që është.
Së bashku me Heung-min Son, Harry Kane kishin arritur të kontribuonin 90 gola e asistime në sezon.
Harry Kane kishte 34 gola e 17 asistime, Son 22 gola e 17 asistime.
Sigurisht, janë më pas se 90 gola, sepse kanë asistuar njëri-tjetrin në shumicën e tyre, por bashkëpunimi ishte i përkryer.
Ishte edhe sezoni kur Harry Kane kishte braktisur pozitën e 9shit, dhe ishte tërhequr më mbrapa, sipas nevojës.
Kjo e kishte bërë lider, që është edhe sot te Anglia.
Një lider, pos që përmirëson gabimin në përgatitje për të shutuar penalltinë, kthehet dhe ndihmon shokët e skuadrës, e edhe intervenon si një qendërmbrojtës e portier kur është nevoja.
Këtë e bëri Kane kur pas një korneri vendosi trupin përpara topit për të parandaluar një barazim eventual.
Lider si Harry Kane, nga sulmi kuptohet, nuk ka sot në fushë, dhe janë të rrallë.
Shpesh e gjejmë edhe në pozitën e 6shit a 8shit, me së paku 6 bashkëlojtarë para tij. Kjo është përulësia që duhet të ketë një lider i denjë.
Kroacia
Kundër Anglisë, Kroacia luante futboll pa asnjë frikë.
Në këtë pozitë kanë arritur gjatë 10 viteve të fundit kur shkuan në një finale e gjysmëfinale të Kupës së Botës, si dhe fituan Ligën e Kombeve, e cila është më e rëndë të fitohet se të gjitha garat kontinentale jo-evropiane – veç shihni nivelin e kombëtareve që duhet të mposhtësh.
Tash, pa shumicën e lojtarëve të gjeneratës së artë të atyre dy Kupave të Botës, me Modriçin para pensionimit, Kovaçiçin e lënduar, e Perisiçin në hijen e tij, Kroacia ka sjell talente të reja, nisur nga Vuskovic, te Baturina e Matanovic, e deri te Sucic.
Këta lojtarë nuk ia kanë frikën kundërshtarit, dhe kur kalon vite me një mentalitet fituesi, finalisti, atëherë merr një vetëbesim në vete që nuk mbrohesh si frikacak, nuk u heziton ndërhyrjeve e kacafytjeve që janë një formë tentimi e nënshtrimit psikik në fushë.
Lufton, sulmon, edhe fiton.
Nejse, nuk fituan mbrëmë, por Kroacia ka fituar mjaft.
Një komb me më pak se 4 milion banorë (më pak se Kosova e Shqipëria bashkë), është superfuqi në futboll, hendboll, vater-polo, dhe nxjerr talente në sporte tjera çdo vit, nga skijimi deri në atletikë.
Është qasje, mentalitet kombëtar, dhe mbi të gjitha, disiplinë e punës.
Nuk kanë kohë të flasin për Ilirët, dalmatët, e të mburren me ta, kur kanë 100 arsye tjera për mburrje.
Sot…
Tash gjërat bëhen serioze, por me këtë sistemin e ri, edhe nëse je pa pikë pas dy ndeshjeve, prapë me një fitore disi mund të gjesh rrugën para, e me dy fitore në ndeshjet e para, fle në ndeshjen e tretë.
Gjumin mund ta sigurojë vetëm Meksika, në klasiken e Kupave të Botës me Korenë Jugore, që duhet të jetë po aq interesante sa Anglia me Kroacinë mbrëmë. Evropianet i kryejnë ndeshjet herët, dhe kam frikë se Zvicra me Bosnjë e Hercegovinën mund të jetë goxha e mërzitshme, marr parasysh javën e kaluar.
18:00 Çekia – Afrika Jugore
21:00 Zvicra – Bosnja e Hercegovina
00:00 Kanadaja – Katari
03:00 Meksika – Koreja Jugore

