Ne e dimë më së miri se çfarë transformimi mund të ketë një kombëtare me një trajner të mirë, dhe falë Fodës po e vërejmë këtë.
Ngjashëm, Graham Potter ka transformuar Suedinë në një ekip që nuk falë, dhe dy nga sulmuesit më të mirë në Premier League, të cilët i mbanin të heshtur djelmoshat tanë, mbrëmë shpartalluan Tunizinë.
Është rezultati i vetëm që kam pritur dhe që ka dalë deri tash, përfshirë edhe atë të Gjermanisë, ndonëse të them të drejtën, të gjitha ndeshjet e mbrëmshme përfunduan ashtu siç prisja, sidomos Japonia.
Ndeshja më e mirë e ditës ishte kjo me Holandës dhe Japonisë, mu sikur një ndeshje për eliminim, ashtu siç e prisja, me disiplinën e veçantë të vendeve nga Lindja e Largët.
Japonia dhe Meksika pres të shkojnë larg, e them çdo ditë, dhe në këtë kombinim do të doja edhe një vend afrikan, e askush nuk e meriton më shumë se Bregu i Fildishtë. Elefantët me fat fituan në fund, në ndeshjen më të rëndësishme të tyre në grupe, dhe tash mbetet matematika t’i shtyjë para.
Ndërkohë gjermanët kështu e nisin, por prapë, nuk mund t’i marr seriozisht me atë trajner palaço.
Azia
Nuk di pse nuk luajmë me kombëtare nga Amerika dhe Azia, si kombëtare që jemi, por veç me Evropë dhe Afrikë deri tash kemi kaluar kohën më të madhe në ato pak miqësore që na mundësohen.
Ide shumë e mirë do të ishte mbledhja e përhershme në janar, ashtu siç bën edhe Bosnja e Hercegovina, vendet e Amerikës Veriore, e disa vende skandinave ku kampionati kombëtar është në pushim.
Do të ishte mirë të testonim lojtarët që luajnë në këto liga që janë në pushim, përfshirë edhe nga Zvicra dhe sigurisht kampionatet tona.
Është një ide e mirë, por FFK-ja kushedi a do të rrezikojë të “shpenzojë” në këtë drejtim.
Nejse, jemi takuar me Haitin dhe Arabinë Saudite, me këta të fundit para njohjes ndërkombëtare, dhe do të doja të shihja më shumë përballje me kombëtare jashtë Evropës, qoftë edhe nëse angazhojmë Kombëtaren U23, si një test për mars e qershor.
Gjumi
Ironia e jetës është që kur ke kohë, nuk ke mundësi, e kur ke mundësi, nuk ke kohë.
Reprizat kanë mbetur i vetmi shpëtim për të shijuar këtë kampionat deri tash, këto ndeshjet e mesnatës, sepse gjumi po më pushton pas orës 12.
Nëse keni ndonjë ide, për të qëndruar zgjuar gjatë gjithë natës dhe për të qenë i gatshëm për punë të nesërmen, ju lutem, ndajeni.
Së paku dy Kupat e radhës do t’i kemi në zonën tonë kohore, ose të përafërt, kështu që tamam me pleqni.
Sot…
Është koha që Salah të dëshmohet si lider edhe te Egjjipti, ku gjithmonë mbetet i humbur, dhe personalisht mendoj që kjo anemi e mban larg listës së lojtarëve më të mirë ndonjëherë.
Nuk kam besim në Rudi Garcinë, dhe Belgjika zor se mund të arrijë më larg se në rrethin e dytë, a i tretë që është tash. Spanja luan për golaverazh kundër Kepit të Gjelbër, e Uruguai uroj të mos jetë një Ekuador tjetër e të luaj me një gol a dy kundër Arabisë Saudite, të cilët gjithmonë dinë të befasojnë në ndeshjen e parë.
Dhe, pastaj, Irani.
Do të jetë interesante të shohim Iranin, më shumë për arsye politike se sa sportive, por gjithsesi, mezi pres fitoren e tyre.
18:00 Spanja – Kepi i gjelbër
21:00 Belgjika – Egjipti
00:00 Arabia Saudite – Uruguai
03:00 Irani – Zelanda e Re

