Kosova është e 78ta në renditjen e FIFA-s.

Prej të fundit në këtë pozitë, për 10 vite nuk është një përparim i vogël, por as real nuk është.

Mbi neve në këtë listë janë vende si Izraeli, Islanda, Burkina Faso, e Sllovakia, të cilat i kemi mposhtur, edhe i mposhtim çdo ditë të mirë. Por, janë edhe një kallaballëk vendesh të cilat do t’i mposhtnim sikur të na binte të takohemi me ta, si Panamaja, Kili, Peru, Kosta Rika, Hondurasi, Bolivia, e Tunizia.

Nën neve, në renditje, nga vendet pjesëmarrëse në këtë Kupë të Botës janë Kurasao, Zelanda e Re, e Haiti. Me vetëm njërën nga këto jemi takuar, dhe me dy tjerat nuk do të takohemi kurrë!

Ndonëse, na nevojiten kombëtare që janë mbi neve, por të mposhtura, që të ngrihemi në renditjen e FIFA-s dhe UEFA-s dhe pastaj nëpër shorte të marrim kundërshtarë më të ultë.

Duhet pak politikë në aranzhimin e miqësoreve, si dhe investime, por FFK-ja nuk ia ka haberin gjërave që i bëjnë mirë vendit tonë në këtë aspekt.

Tunizia

Nga vendet që janë mbi neve është edhe Suedia, e 36ta në botë, të cilët i kemi çA, jashtë e brenda!

Tash, supozojmë se do të çAnim edhe më shumë Tunizinë dhe kombëtaret tjera, por kjo është një qasje jo aq e zgjuar, por e cila na ka bërë kampion jozyrtar të Botës për disa muaj!

Më thjesht, nuk jemi vendi i 78të në botë, por sigurisht në mesin e 60ve jemi. Dhe nëse vazhdojmë të ecim me hapa të mençur, me lider në fushë e jashtë saj, atëherë ky Botëror është gara e fundit e madhe ku nuk do të marrim pjesë.

Lideri

Kam përmendur Harry Kane para disa dite, dhe vlerën e tij e sheh edhe kur ai nuk luan.

E kemi Suedinë, Gyokeres dhe Isak, dy super-talente, por larg të qenit lider.

E kur nuk ke lider në fushë, hierarki, atëherë nuk duhet shumë për të dalë nga takti i lojës dhe të hash pesë gola.

Këtë mungesë të hierarkisë në fushë e kemi shfrytëzuar edhe ne.

Te ne hierarkia është e ditur, sidomos me ardhjen e Fodës – Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Elvis Rexhbeçaj, secili është “komandant zone,” si shumica e rrugëve nëpër qytetet e katundet tona, dhe komunikimi i tyre mban Kosovën në nivel.

Sa të kemi këta, e sa ta dinë secili ku e ka vendin, atëherë nuk kemi çka bëhemi merak për sukses. Aty na mungon veç fati, sepse e dimë që nuk do të turpëroheshim si turqit e suedezët në këto ditë.

Sot…

Spanja nuk ka hesap të turpërohet edhe një herë, dhe përkundër barazimit, ende mbetet favoriti im.

Spanjollët kanë fituar njërin nga Kupat më të pamerituara ndonjëherë, me një lojë anemike që të ka përgjumur për pjesën më të madhe në vitin 2010. Prandaj, rruga deri te titulli është e gjatë, dhe jo medoemos kërkon të shkëlqesh në çdo lojë.

Megjithatë, arabët janë popull me zemër të zjarrtë, dhe luajnë më shumë me zemër se me tru. Ashiqare në një përballje të tillë duhet të fitonte truri, por është kënaqësi kur fiton zemra.

Përballje e ngjashme duhet të jetë edhe në mesnatë, e tjerat janë meh.

18:00 Spanja – Arabia Saudite

21:00 Belgjika – Irani

00:00 Uruguai – Kepi i Gjelbër

03:00 Zelanda e Re – Egjipti