Është mëkat që filma si ky mbeten në plan të dytë në ceremoni të shpërblimeve për filmat më të mirë, e edhe një fakt shtesë që krejt këto shpërblime e çmime zakonisht janë subjektive.
Por, së paku L.A. Confidential do të ishte i nominuar dhe do të merrte pak shpërblime, ndonëse ishte 100 herë më mirë se ata që do të fitonin.
Një klasik modern, një neo-noir, L.A. Confidential në regji dhe skenar të Curtis Hanson, i ndihmuar edhe nga Brian Helgleland, dhe bazuar në novelën e James Elroy, sjell historinë e tre policëve në Los Anxhelosin e viteve 1950ta.
Njëri nga karakteret kryesore është ylli i viteve ‘90ta, Kevin Spacey, të cilin sikur e shohim në çdo film. Këtu ai është një detektiv që ndjek ngjarjet e mëdha rreth yjeve të Hollywoodit dhe skandalet, duke shërbyer shpesh si burim për gazetarët, për të siguruar favore personale.
Në dy karakteret tjera vijnë dy yje që do të shkëlqenin në rolin e tyre të parë madhor para se të merrnin famën që do t’i ndiqte më pas – Guy Ritchie është një polic që jeton në hijen e të atit duke besuar në drejtësinë dhe shpërblimin e punës së drejtë, dhe tjetri është Russell Crowe, që ka formën e tij të drejtësisë, sidomos kundër abuzuesve të grave.
Udhët dhe karriera e tyre ndeshen në masakrën e Bufit të Natës, para se të futen në nëntokën e rrjetet kriminale të qytetit, duke rrezikuar jo vetëm karrierën por edhe jetën e tyre.
Në rolet dytësore me ndikim shumë të madh në shtrimin e historisë vijnë edhe Kim Basinger, James Cromwell, e edhe Danny DeVito, e për shumëkënd ky film është një rikthim për Basinger
Është një film që rrënon atë pasqyrën e një drejtësie absolute, e mbi të gjitha, iluzionin e njeriut si pjesë e një shoqërie ku drejtësia tejkalon gjithçka.
Megjithatë, filmi është pak i komplikuar, dhe në shumë raste duket se heziton të shkojë në ekstreme për të cilat merr udhën, duke devijuar në disa rrugë krejt tjera për të kompensuar atë që presim nga ky film, që do të prisnim nga një noir.
Sidoqoftë, është ndër më të mirët e atij viti, dhe padrejtësisht i nënvlerësuar. Nota personale: 4/5

