La Dolce Vitta (1960)

La Dolce Vitta (1960)

Nuk ka profesion ma të fëlliqët në Kosovë sot se sa të qenit gazetar për “media” që duan të korrin mungesën e inteligjencës së konsumatorëve të tyre me artikuj senzacional në glorifikimi të injorancës.

Dhe kjo jetë e një gazetari nga fillimi deri në fund përshkruhet më së miri në filmin e gjatë, ikonik, të Federico Fellinit, që njihet si një kryevepër e kinematografisë italiane.

Marçello është një gazetar i rubrikës së thashethemeve, që e sheh si profesion të përkohshëm derisa aspiron të bëhet shkrimtar serioz – ëndrra e të gjithë gazetarëve që deri në suksesin e madh pranojnë të bëjnë punë që duhet për t’i siguruar kafshatën.

Në kërkim të artikujve të “flaktë,” ai shëtitet nëpër skutat e “yjeve të estradës” së Romës, jetën e natës, në ndjekje të aristokratëve, intelektualëve, dhe ahengjeve në vende të “larta.”

Gjatë këtij misioni, ai fillon të lakmojë të jetë pjesë e kësaj pjese të shoqërisë, dhe kështu fillon një transformim që ngre Marçello nga epshi, lakmia, babëzia. Ky rrugëtim do të prekë të gjithë që janë në jetën e Marçellos, nga karakteret e artikujve të tij, te një pasanike, e fejuara, një intelektual të cilin e admiron ai, familja, dhe personazhe të tjera.

Pos një thellësie filozofike, filmi është edhe një mjeshtri teknike me pamje vizuale që vetëm Fellini dinte t’i bënte. Me anë të kësaj pjese të filmit, ai provon të na lidhë më shumë me karakterin e Marçellos, të arsyetojë të gjitha ndjenjat e tija, duke na vënë në lajthitje edhe neve si shikues.

Në rolin e Marçellos, vjen Marcello Mastroianni, e Anita Ekberg ka skenën më të njohur në film, e rol ka edhe Anouk Aimee, Yvonne Furneaux, e Alex Cuny si Shtajneri. Filmi është shumë i gjatë, gati tri orë, dhe Fellini pos regjisë kontribuon edhe në skenarin e shkruar nga pesë veta.

Filmi është ikonë e kinematografisë edhe sot, dhe pak e dinë që termi “paparazzi” ka origjinën mu në këtë film, nga karakteri Paparazzo, i Watler Santesso. Nota personale: 5/5