Njëri ndër filmat më të rëndë italisht, dhe në përgjithësi, që mund të shikoni, ka të bëjë me një vajzë të re nga një familja e varfër, të cilën nëna “ia dorëzon” një artisti cirku, Zampanos.
Zampano është një “artist” që për të argëtuar turmat jep shfaqje sa për të qeshur, më shumë për të dëshmuar forcën e tij duke këputur zinxhirë, dhe Gelsominën e përdorë si asistente për të zëvendësuar motrën e tij që ka vdekur.
Të dyja, sa për ngjarjet nga e kaluara, sa për ato që do të pasojnë janë karakteret krejt të kundërta duke vënë në përplasje dy njerëz krejt ndryshe, njerëzimin mes të mirës dhe të ligës, si dhe përballjen me vetveten, me ndërvetëdijen tonë që na bën atë çfarë jemi.
Është film acarues për një njeri që veçse është në këtë komunikim me vetveten, pasi nuk mund të kapësh anën e njërës pjesë të historisë dhe të qëndrosh me atë deri në fund, ashtu si vetë Gelsomina, e cila sjell njërin nga karakteret më të ëmbla në filmat italian.
Aktrimi i Giulietta Masina është fenomenal, i papërshkrueshëm, dhe këtë e bën edhe më të mirë Anthony Quinn në rolin e Zampanos duke dhënë një harmoni skenike përkundër dallimeve ekstreme që përmbajnë në vete të dy karakteret.
Filmi ka histori goxha të rëndë pas vete, me vetë Fellinin që e ka konsideruar si një autobiografi të pjesshme, me Gelsominën të bazuar pjesërisht në fëmijën e gruas së tij; problemet me realizimin e filmit; dhe perceptimin e kritikat në shoqëri.
Në anën tjetër, “La Strada” mbetet filmi i parë që ka fituar Oskar për filmin më të mirë të huaj, pa harruar edhe një kamionetë titujsh tjerë.
Edhe sot mbetet ndër kryeveprat e kinematografisë, jo vetëm italiane, sa për historinë, aq edhe për fotografinë dhe pjesën teknike që ka bërë filmin. Por, njëkohësisht është goxha i rëndë si histori, pa pasur nevojë për vrazhdësi pamore që të shfaqë brutalitetin e shoqërisë, njeriut. Nota personale: 5/5

