Lufta është kaos, paslufta është depresion post-kaotik.

Në krejt këtë depresion të gjithë sillen si të humbur, pa idenë se çfarë po bëjnë. Prandaj, shumë pak flitet për periudhën e pasluftës, sepse po t’ia fillojnë e të përmendin të gjitha, atëherë do të duket sikur e vetmja gjë që e dallon këtë periudhë nga lufta ishte një siguri më e madhe e jetës, edhe atë jo për të gjithë!

Situatë e ngjashme prek të gjithë popujt e vendet, mesa duket, dhe kjo periudhë shfaqet për mrekulli në filmin “Hajdutët e Biçikletave” të Vittorio De Sica, i cili bën njërin ndër filmat më origjinal për një periudhë paslufte, dhe absolutisht njërin më depresivët ndonjëherë.

E adaptuar për film nga novela e Cesare Zavatinit, kjo histori sjell Antonion në rolin kryesor, një baba i cili po kërkon punë në Italinë e pasluftës së dytë botërore, dhe kur e gjen atë punë i duhet të sigurojë një biçikletë që të shpërndajë e të vendosë afishet e ndryshme nëpër Romë.

Për të blerë biçikletën, gruaja e tij Maria shet çfarë të mundet nga ato që kanë. Tash, me punë për të mbajtur gruan dhe dy fëmijët e tij, Brunon në moshë të vogël dhe tjetrin vetëm foshnje, Antonio fillon të vendosë afishe nëpër Romë, nisur nga e famshmja Gilda.

Por, gjatë punës ati i vjedhin biçikletën, dhe Antonio i drejtohet organeve të rendit të cilat nuk i japin shumë shpresë, të themi butësisht, për të zgjidhur rastin. Pasi kalon ditën duke kërkuar ndihmë nga këto organe, Antonio e kupton që vetë ai duhet të zgjedhë këtë problem.

Të nesërmen, me Brunon, ata fillojnë të shëtisin Romën për të gjetur mjetin e vetëm që do të mund t’i siguronte kafshatën e gojës të dyve, dhe atyre që i presin në shtëpi. Në krejt këtë aventurë, ata kuptojnë mizorinë e botës, depresionin e pasluftës, ligësinë e njeriut si qenie e pashpirt, dhe vetë filozofinë e jetës.

Është një film goxha depresiv me një mesazh të thellë në vete, sidomos në një shoqëri të dalë nga lufta rishtas. Edhe teknikisht filmi është fenomenal me De Sican që e bën aq origjinal sa të duket se po shikon një histori dokumentare për një situatë si kjo. Kësaj i ndihmon edhe fakti që kasti nuk përbëhet nga profesionistë, po nga persona të thjeshtë të cilët i janë dukur De Sicas të përshtatshëm për rolet dhe historinë e filmit.

“Ladri di biciclette” është film i pashoq, ndoshta edhe ndër më të mirët ndonjëherë. Nota personale: 5/5