Në majën e karrierës së saj, e parë më shumë për bukurinë se sa për aktrimin, padrejtësisht, Angelina Jolie merr njërin nga rolet më joshëse se kurdoherë – atë të eksplorueses Lara Kroft.
Përkundër filmave e serive të ndryshme të bërë për këtë karakter, ende mendoj se videolojat dhe seritë e tyre janë më të mira, pasi ka një keqkuptim me atë se çfarë e bën këtë franshizë të mirë, dhe çfarë tjerët mendojnë se e bën të mirë.
Këtu, Lara Kroft fillon luftën me robotë, pastaj bën një dush të gjatë e të mjegullt, shkon si bos në një aksion çmimesh ku rrezikon të çojë poshtë pasurinë e saj, dhe pastaj fillon aventura.
Kjo aventurë nxitet kur fillon të kërkojë më shumë për babanë e saj, arkeolog i zhdukur, gjë që e zhyt në një sfidë në kërkim të së vërtetës.
Pos Angelina Joliet në rolin kryesor, që bën atë çfarë planifikohet të bëhet me këtë film, të sillet sensuale dhe e “nxehtë,” në rolet tjera vijnë edhe emra jo pak të njohur, sidomos sot, si babai i saj i vërtetë, Jon Voight, dhe Bondi në ardhje, Daniel Craig.
Filmi është i mirë për fansat e Angelina Joliet, ndoshta deri diku edhe për fillestarë e video-lojërave Tomb Raider. Nuk ka gjë tjetër më shumë. Nota personale: 2/5

