Asgjë nuk të kujton verën si ABBA, Allo Allo, dhe seria e filmave për xhandarmërinë e Saint-Tropez.
Të tria këto askund nuk përzihen më mirë se në filmin e parë të kësaj serie “Xhandarmëria e Saint Tropez,” kur Ludoviku, i ngarkuar me detyrë të re, vjen dalëngadalë me autobus, në mes të vapës, në qytetin e njohur bregdetar francez.
Me të zbritur nga autobusi shohim që Krusho dhe e bija Nikola, do të kenë shumë dallime, si çdo marrëdhënie ndërmjet babait dhe të bijës.
Në një ambient krejt të ri, Ludoviku e ka problem t’i nënshtrohet shefit të tij të ri, Zheromit, dhe të adaptohet me pjesën tjetër të xhandarëve. Edhe më problem është të ndalë të bijën e tij nga jeta e “shthurur” e bregdetit francez.
E problemi kryesor i xhandarëve, në çdo film pothuajse janë nudistët në plazh.
Por, për fillim, një problem tjetër, goxha serioz, që përfshinë një pikturë (jo të Madonës me…), amerikanë, dhe të rinj delikuent, e bën këtë film si më të mirin, e edhe më “seriozin” në vazhdën e komedive që do të tejkalojnë njëra-tjetrën për nga cilësia.
Është nga filmat më të mirë francez, komedi klasike më shumë me mimikë se sa me humor “kontemporar” që pushton filmat modern të këtij vendi, e larg atyre filmave të lodhshëm, të cilët artistët i vendosin si mur për t’u ndarë nga turma që e do filmin e thjeshtë, më pak se 100 minuta, me plot skena komike.
Louis de Funes nis rolin e tij legjendar me këtë film, bashkë me pjesën tjetër të aktorëve nisur nga Michel Galabru si komandant, e deri te Genevieve Grad në rolin e Nikolës si një rebele e inspiruar nga këtë e ABBA-s, të cilët vijnë si një grup që përshtatet me njëri-tjetrin në çdo aspekt. Nota personale: 5/5

