Të bësh film me jashtëtokësorë në vitet 1970ta, sidomos në një komedi si kjo, dhe ta bësh aq mirë, që nga pamja vizuale e pjatave kozmike deri te ideja se kush është brenda tyre, nuk ka mundur të ishte e lehtë.

Por, ja që Jean Girault e Jacques Vilfrid e bëjnë njërin ndër filmat më drithërues të xhandarmërisë së Saint-Tropez.

Gjithçka fillon thjesht, lehtë, me Krushon dhe kolegun duke vozitur, por vetura i prishet. Kur ndalet të ndreq veturën, kolegu i tij sheh diçka të pazakontë, dhe kur afrohet ta hetojë sheh diçka jashtëtokësore.

Me të parë këtë, në tentim për të bindur kolegët, ai fillon të konsiderohet si i çmendur, sidomos pasi nuk i beson as Krusho që ishte bashkë me të. Mirëpo, nuk vonon shumë, dhe kjo ndodhi përsëri rishfaqet dhe kujt tjetër pos Krushos.

Me vazhdimin e filmit, historia fillon të bëhet më intriguese edhe për neve si shikues duke na bërë të hamendësojmë për jashtëtokësorët si dhe përfundimin e ngjarjes.

Është ndër filmat më të nënvlerësuar të serisë së xhandarëve të Saint-Tropez, ndoshta, por është shumë mirë e realizuar, nga aspekti teknik, deri te ai artistik, si rrëfimi ashtu edhe aktrimi. Megjithatë nuk ka aq shumë të qeshura sa filmat paraprak, por kjo nuk i humb shijen. Nota personale: 4/5