Pas dështimit për të zëvendësuar trupën e xhandarëve nja dy filma më herët, kësaj radhe në Saint-Tropez vijnë katër stazhiste për të mësuar më shumë për punën e xhandarëve.

Dhe, siç mund të pritet nga një film francez, qoftë edhe komedi, menjëherë fillojnë shkëndijat ndërmjet xhandarëve e xhandareve, dhe në mes të krejt kësaj janë gratë e këtyre të parëve.

Filmi zgjon njëfarë nostalgjie si i fundit i kësaj serie me largimin e Louis de Funes e Jean Girault si regjisor, prandaj ndoshta mund të na mashtrojë se është film mbi mesatar, ndoshta i përkryer për neve fansave të kësaj serie të filmave.

Nëpër shumë skenat ku xhandarët sa provojnë t’u mësojnë zanatin vajzave, njëkohësisht duke qëndruar besnik ndaj grave, e duke qortuar njëri-tjetrin, sidomos Krusho të tjerët, kemi disa nga skenat më legjendare në krejt serinë.

Dhe kjo falë murgeshës dhe vozitjes së saj të çmendur, e që nuk është hera e parë që e kemi atë në film.

Pos vozitjes, nga e cila agjenti 007 do të kopjonte tri vite më vonë, kemi edhe skenën e trafikut ku në vend që të drejtojnë automjetet, ata fillojnë të vallëzojnë në atë që bëhet ndoshta tollovia më e madhe në një film francez.

Gati 20 vite pas filmit të parë, “Le Gendarme et les Gendarmettes” sjell një avancim teknologjik si në aspektin vizual ashtu edhe në përgatitjen e skenave që kërkojnë më shumë akrobacione fizike. Kjo e bën pak më të veçantë, e njashtu edhe nostalgjia për këtë seri filmash. Nota personale: 4/5