Në atë që shpesh mund të hasim viteve të fundit, ne që shohim filma në mënyra pak më të “dyshimta,” edhe kësaj radhe mund të gabonim e të zgjidhnim “The Mummy,” para “Lee Cronin’s The Mummy.”

I pari është një film që tenton të përfitojë nga popullariteti i këtij të fundit, për të cilin do të shkruaj këtu, e që besoj se është një film i mirë për fansat e horrorit.

Për mua, si një fans i filmit, por jo aq i horrorit, del të jetë mjaft i frikshëm, me krejt ato që evokon për horrorin. Megjithatë, kjo mund të mos u mjaftojë fansave të flaktë, sidomos ata që duan më shumë horror vizual se psikologjik. Unë anoj kah kjo e dyta, prandaj mund të mos ju përshtaten propozimet eventuale për horrora, që megjithatë është njëri ndër zhanret më pak të dashura për mua.

Por, te ky versioni i “mumjes,” gjithçka fillon interesant, qetë, dhe me një tension që duket se mund të devijoj lehtë, dhe shumë shpejt, drejt horrorit.

Në Egjipt, një vajzë e vogël, Kejti, fillon të shoqërohet e të adaptohet në rrethinën e re, tash që babai i saj është një gazetar amerikan, Çarli, i cili jeton me gruan e tij, Larisën. Pa kaluar shumë kohë, Kejti zhduket, rrëmbehet në Kajro, dhe familja duhet të vazhdojë jetën në kërkim të saj. Dhe ky lloj kërkimi mund të ketë një finale të kënaqur, por jo pa pasoja të papritura.

Këtu fillon horrori i njëmendtë, që besoj se është mirë i ndërtuar, i shtjelluar, i transmetuar te shikuesi. Nuk është një film i veçantë, i jashtëzakonshëm, por ka elemente të kënaqshme frike. Nota personale: 3/5