Little Women 1994

Little Women 1994

Bazuar në novelën e Louisa May Alcott, “Little Women,” është njëra nga ato novelat që shtyhen para në listat e librave që duhet të lexohen patjetër, por kjo nuk mund të qëndrojë as për filmat që duhet të shihen patjetër.

Problemi i filmit të Gillian Armstrong qëndron në faktin se fillon mrekullueshëm, këndshëm, bukur, dhe në pjesën e dytë të filmit ngjarja rrjedh shumëfish më shpejt duke e humbur baraspeshën e shtjellimit të ngjarjeve.

Ngjarja zhvillohet gjatë Luftës Civile Amerikane ku katër motra të familjes Marsh, secila në moshë dhe karakter të ndryshëm, jetojnë së bashku me nënën e tyre në një qytet të Masaçusetsit.

Me kryefamiljarin në punë larg shtëpisë, ato duhet të mbijetojnë sipas mundësive, dhe përkundër vështirësive financiare ato arrijnë të gjejnë lumturinë e harenë në ato pak gjëra që i kanë në vete, secila nga motrat duke ofruar atë që di ta bëjë më së miri – njëra këndon, tjetra shkruan, njëra është rrobaqepës e kështu më radhë.

Pranë tyre jetojnë një familje e pasur, me të cilët motrat krijojnë miqësi, e këto miqësi nuk mbarojnë vetëm aty, por zgjerohen në horizonte e karaktere tjera që vijnë në pjesën e dytë të filmit, aty ku mund t’ju përzihen gjithçka me ritmin që përshpejtohet dukshëm.

Winona Ryder, Trini Alvarado, Claire Danes, e Kirsten Dunst janë në rolet e motrave, me Susan Sarandon në rolin e së ëmës. Harmonia ndërmjet tyre është e përkryer, shumë origjinale, sa të bëjnë të mendosh se njëmend janë një familje.

Christian Bale e John Neville janë komshinjtë, e në rolet tjera vijnë edhe Gabriel Byrne, Erick Stolz, e Matthew Walker.

Si vepra, edhe filmi, mendoj që janë paksa të mbivlerësuara, por goxha të rëndësishme për periudhën. Janë të mira, kaq. Për filmin, vetëm pjesa e parë do të thosha. Nota personale: 3/5