Qysh thonë pleqtë, “deri në 25 vjeç martohesh vetë, deri në 30 vjeç të martojnë shoqëria, mbi 30 vjeç veç mësiti.”
Rolin e mësitit në këto ditë e kanë marr aplikacionet, duke ndryshuar nga “familje e mirë, djalë i zoti, shkrun për filma,” në “swipe left.”
Katerina Petrova, për dikë Elena Gilbert, e për krejt njerëzit normalë Nina Dobrev, vjen në rolin e një gazetareje e cila, si autori i këtij shkrimi, shkruan kolumne, veçse jo për filma, por për takimet e saja me pasoja katastrofike.
Dikur, ajo takon një djalë të quajtur Xhosh Lin, dhe pas një lidhje të fuqishme nëpërmjet telefonatave, ajo vendos ta befasojë atë për festa. Veçse Xhoshi nuk është ai që duket, por është një njeri krejt tjetër, i cili ka shfrytëzuar fotografinë e shokut të tij.
E “mustak”-ëruar (përkthim i catfishishing), Natalia duhet të vendosë të kthehet e të shkruajë, apo të ndjekë shokun e vërtetë të Xhoshit, atë që duket në fotografi.
Në thellësi, mund të jetë një qasje në “njohjet” online në kohën e internetit dhe sa sipërfaqësore janë bërë ato, por larg kësaj filozofie, ky mbetet njëri prej filmave më të mirë të Nina Dobrev në ekran të madh, që pavarësisht nga koha e vitit, gjithmonë mbetet aktual.
Skenari është i mirë, aktrimi edhe më i mirë, për ta bërë një film të mirë mesatar, me një temë jo aq të veçantë ndoshta. Nota personale: 4/5

