Pas njërës prej mini-serive më të mira të Netflixit ndonjëherë, Anya Taylor-Joy kthehet në një rol krejt më ndryshe tash.

Ajo është Lusiana Armstrong – Llaki, një artiste e mashtrimeve, e cila me burrin e saj kanë vjedhur rreth dhjetë milionë dollarë. Por, kjo shumë është pjesë e një mashtrimi më të madh, edhe atë ndaj qeverisë amerikane, dhe kjo i vë pas Llakit forca më të mëdha se që do të priste ajo, dhe burri i saj.

Aktrimi është në nivel, nga Anya, deri tek ata që kanë pjesë më të vogla e role më sekondare në seri. E seria fillon mirë, me adrenalinë, dhe dalëngadalë shtjellohet në detaje e përmasa që do ta bënin interesante për shikuesin.

Por, këto detaje teprohen në shumicën e rasteve, kryesisht nga lëvizja para e mbrapa në kohë, për të mësuar historinë e karakterit kryesor, Llakit, dhe relacionet që ka me karakteret tjera që prezantohen gjatë zhvillimit të ngjarjes.

Këto kërcime nëpër kohë pak e bëjnë historinë të komplikuar, duke shtuar karaktere që sado që janë të nevojshme për historinë, prapë mbeten si të humbura disi, pa vend e në kohë të gabuar.

Në anën tjetër, filmi ka aksion, të shtëna, ndjekje me vetura, dhe momente mashtrimi që sjellin atë adrenalinën e shpëtimit apo kapjes.

Annette Bening, Timothy Olyphant, William Fichtner, Aunjanue Ellis-Taylor, e Clifton Collins Jr., vijnë në rolet dytësore, secili me punë të mirë në karakterin e tyre, por prapë në fund disa duket se marrin më shumë kohë se që duhet e disa mbesin shumë pak para kamerës.

Mini-seri e mirë për fansat e aksionit, aventurës, Anya Taylor-Joy, por asgjë e veçantë. Nota personale: 3/5