Enikebenikekërkabefabedomane…
Diçka të ngjashme thonë fëmijët që luajnë në një rrugë të Berlinit para se nëna si zakonisht t’i thirrin në shtëpi se është bërë vonë.
10 mijë marka është shpërblimi për të gjetur kriminelin i cili së fundmi po rrëmben dhe vret fëmijët në qytetin e Berlinit. Para kësaj afisheje, një vajzë e vogël e quajtur Elsi luan me top, dhe aty takon një burrë me kapelë, të cilin e shohim në hije, i cili më vonë i blen një balonë dhe…
Me titullin e zgjeruar “Një qytet kërkon një vrasës,” M i Fritz Lang mund të jetë njëri ndër filmat më të mirë të para Luftës së Dytë Botërore që sjell një zhanër të ri të filmit drithërues psikologjik i mbuluar me mister fund e krye.
Për dallim prej filmave paraprak që ishin kryesisht të heshtur, këtu kemi edhe shumë skena kur shohim diçka tjetër e dëgjojmë një gjë tjetër, siç janë balona dhe topi i Elsit pak momente pas fillimit të filmit.
Për të gjetur vrasësin, policia kërkon ndihmën e qytetarëve që çon te një mobilizim të përgjithshëm në kërkim të vrasësit dhe mbrojtjes së fëmijëve, duke tentuar mënyra të ndryshme për të ndaluar vrasjet.
Pos këtij skenari të mbushur me mister dhe të shtjelluar në një mënyrë që veç sa shton emocionet e shikuesit, edhe pjesa teknike e realizmit është një kryevepër që e bën “M” një klasik të pashoq, të vendosur në një sirtar të pakapshëm nga veprat artistike tjera simotra.
E nuk guxojmë ta lëmë mënjanë as aktrimi që është fenomenal në nivel me skenarin duke sjellë karaktere të ndryshme në krejt këtë tollovi qytetare, gjithmonë nën hije të aktrimit të Peter Lorre.
Kryevepër. Nota personale: 5/5

