Nëse mendoni që keni parë gjithçka nga Elle Fanning në “The Great,” atëherë duhet të shikoni patjetër edhe serinë e fundit të David E. Kelley, “Margo’s Got Money Troubles.”
Dhe telashet e Margos fillojnë si për çdo vajzë të pasionuar pas librave e romancës nga to – ajo dashurohet në mësuesin e saj të letërsisë, dhe pas një serie të çmendur takimesh intime, ajo mbetet shtatzënë.
Mësimi nga kjo – kurrë mos u mashtroni nga poezitë, çika!
Nëse ju shkruajnë libër, atëherë… as atëherë!
Problemi i Markut, mësuesit të Margos është që ai ka familje dhe reputacion për të ruajtur, të cilin do t’ia ruajë, si ndodh me çdo burrec, nëna e tij, Elizabeta. Ajo i ofron Margos një ujdi që do të ketë fondacion për fëmijën e tyre sapo të mbushë 18 vjeç.
Ndërkohë, Margo e mbështetur për muri me shpenzimet në rritje, fillon të bëjë video eksplicite për Only&ans, dhe kjo prish të gjithë balancën në familje dhe më tej.
E familja e saj veçse është në probleme – babai i saj, Xhinksi, nga Nick Offerman, është një ish aktor i wrestlingut me probleme alkooli, e nëna e saj, Shajana nga Michelle Pfeiffer, është në lidhje me të dashurin e saj të ri, Kenin nga Greg Kinnear.
Aktrimi i të gjithëve është në nivel, edhe kësaj i shtojmë Marcia Gay Harden e Nicole Kidman me role më të vogla, e për emrat tjerë të përmendur më lart, sigurisht keni pasur rastin t’i shihni nëpër filma më shumë se në seri.
Elle Fanning është fenomenale, në një rol që merr shumë transformime, disa nga të cilat nuk më kanë pëlqyer. Nick Offerman është në nivel, e Michelle Pfeiffer befasuese.
Sezoni i parë është mirë i ndarë – lidhja mes Margos dhe Markut, lindja e Bodit, problemet për të mirëmbajtur veten dhe të birin, dhe pastaj pjesa tjetër kur vihen përballë dy familjet me një finale goxha mbresëlënëse, të papritur të them të drejtën.
Është sezon i mirë, por nuk di çfarë potenciali ka për të vazhduar, sa i përket historisë. Nota personale: 4/5

