Në martesën italisht, Sophia Loren vjen në rolin e Filumenës, që në pamje të parë, në skenën e parë, është një grua në moshë, e lodhur, e sëmurë, e cila e ka një kërkesë të fundit në këtë jetë.
Ajo dëshiron të shkojë nga kjo botë e martuar, dhe atë me biznesmenin, Domenikon, me të cilin ka kaluar një pjesë të jetës së saj, ndonëse në një të shkuar të largët, dhe jo të vazhdueshme.
E Domeniko, si një italian tipik që gjithmonë vrapon pas vajzave të reja, tash edhe pranë fejesës, nuk është i gatshëm të përballet edhe një herë me Filumenën, për arsye të caktuara.
Filmi fillon si dramë, larg atyre që jemi mësuar t’i shohim Sophia Lorenin dhe Marcello Mastroiannin që vjen në rolin e Domenikos, por me kalimin e kohës, gjithçka bie në binarë dhe nuk mbetemi aspak të pakënaqur me zhvillimin e historisë.
E historia zhvillohet nga Vittoria De Sica, i cili vjen në regji duke bërë një punë të mirë, interesante, sidomos në përgatitjen e disa momenteve goxha kulminante në shtjellimin e akteve.
Ngjarja nuk zhvillohet në një moment, e as në mënyrë lineare – sa jemi në të tashmen, në moshën e pjekur të këtyre dyve, sa jemi në Luftën e Dytë Botërore në Itali, takimin e tyre të parë, kalimin në paqe, e të ngjashme.
Dhe të gjitha këto nuk marrin më shumë se 100 minuta, prandaj është goxha lehtë i përtypur pasi vazhdimisht ka diçka që ndodhë, dhe që ju duhet ta lidhni me ngjarjen dhe t’i jepni vetë kuptimin preliminar.
Është një nga filmat që fillon më ndryshe se që jemi mësuar të shohim këtë treshe, por që përfundon në nivel. Nota personale: 4/5

