Marty (1955)

Marty (1955)

Si introvert, goxha kënaqësi ndiej kur disa recensime si ky kalojnë pa u parë nga njeri, ashtu sikur edhe filmi. Ideja megalomane se mbeten si xhevahir për t’u zbuluar dikur, e kënaqësia që ndien lexuesi i vetëm që ka vendosur të shohë këtë film, është inspirim për të shkruar edhe më shumë për këso filma.

Marty është film i tillë.

Fituesi i parë i Palmës së Artë dhe filmi më i shkurtër që ka fituar Oskar, e veçojnë këtë film për temën dhe realizimin që ka. Fatkeqësisht historia e Martit është aktuale edhe sot e do të jetë gjithmonë.

Marti Pileti është një kasap i cili jeton në Bronks me të ëmën. I pamartuar në moshën 35 vjeçare, i sjellshëm por i çuditshëm në shoqërim, Martit i janë lëshuar shokë e familje për ta “rehatuar” me martesë.

Edhe si zakonisht arsyetimi është që krejt bashkëmoshatarët e tij janë të martuar, bile edhe me fëmijë. Por, Marti nuk është që nuk po dëshiron të martohet, thjesht nuk e ka gjetur nafakën!

E kur e gjen, një mësuese me të njëjtin botëkuptim si ai, atëherë dalin pengesa tjera drejt lumturisë së tyre të përhershme.

Filmi është i lezetshëm, i këndshëm, zemër-ngrohës, me Martin si karakter i dashur për shikuesin nga momenti i parë. Kjo falë skenarit të zgjuar që zhvillon karakteret dhe temën pa devijime të kota duke qëndruar në pikë, fund e krye. Edhe aktrim i Ernest Borgnine e Betsy Blair janë goxha relevant për karakteret e tyre.

“Marty” mbetet ndër ata filmat e nënvlerësuar, një romancë emocionale shumë mirë e përpunuar me karaktere të dashura. Nota personale: 5/5