Filma për superheronj, kryesisht, mbeten në mes të rrugës – të marrin skriptin e Marvelit, të bëhen më komik, joserioz, me shumë shpërthime, apo të zgjedhin errësirën e DC-së, kryesisht Batmanit.
Kur provon të përziesh diçka nga të dyja “nën-zhanret,” dhe njëkohësisht t’i mbetesh besnik historisë që daton gati 40 vite më parë, atëherë mbetesh askund, nuk e di kë e ke audiencë të preferuar, e edhe ata që e shohin filmin, disi ndahen meh të kënaqur!
Si fëmijë i rritur në terrin medial të viteve 90ta, He-Man and the Masters of the Universe ka qenë Marveli ynë, heronjtë e parë televiziv që kemi përjetuar. Nostalgjia ndikon në vlerësimin subjektiv të këtij filmi, që do të mund të ishte shumë më i mirë, shumë i gjallë, shumë më i dashur, por ne nuk kemi qenë ata për të cilët është bërë ky film, ashiqare.
Adami është duke u rritur në Tokë, si azil, dhe pahiri mëson se është princi Eternias nga ku ishte larguar nga prindërit, dhe tash i duhet të gjejë Shpatën e Fuqisë për të rimarr pushtetin nga Skeletori.
Edhe nuk ka përzgjedhje më të mirë për një antagonist aq keq se sa tullusumi personal, Jared Leto. Shyqyr, në role tjera vijnë Idris Elba, James Purefoy, Morena Baccarin, Alison Brie, e Camila Mendes, të cilët i japin shije filmit me punën e tyre në aktrim. Sidomos Idris Elba është goxha i mirë në rolin e Dankanit.
Befasia më e mirë, ndoshta edhe ana më e mirë e këtij filmi është aktrimi i Nicholas Galitzine në rolin e Adamit, He-Manit, i cili për mua sjell një freski në film, dhe bën goxha punë të mirë në portretizimin e karakterit të tij që kalon nëpër disa faza në këtë film.
E këto faza pak e stërgjatin filmin, e bëjnë pak të lodhshëm, dhe arsyen për këtë e gjejmë në atë që thashë në fillim.
Mendoj që do të mund të ishte një film shumë, shumë më i mirë, por nuk është edhe i pashikueshëm. Ofron një alternativë të mirë për të lodhurit me duopolin e filmave për superheronj. Nota personale: 4/5

