E vetmja anë e mirë e këtij filmi të Woody Allen mund të jetë urrejtja që kanë amerikanët për britanikët, të cilët i shohin si torollakë dhe shtresë snobësh të pavetëdijshëm për realitetin, gjë që i lë të shtypur ndonëse mendojnë se janë shtypësit.
Nejse, filmi ka një zhvillim interesant karakteresh, një histori me shumë të papritura, dhe merr një fund të zgjuar, por prapë, për të arritur tek kjo të duhet të durosh atë pjesën goxha irrituese.
E nuk ka më irrituese se Scarlett Johansson të pijë duhan, kinse në mënyrë joshëse, tunduese, por që e bën të duket shumë më gërditshëm, dhe aspak skenave legjendare, aq më pak Marilyn Monroes të cilës duket se provon t’i ngjajë në këtë film.
Në “Match Point,” Scarlett Johansson është një aktore në formësim e cila kërkon të gjejë rrugën te ëndrra këndej oqeanit, në Angli, ku është në lidhje me Tomin, një djalë aristokratësh.
Tomi ushtron tenis me një amerikan, Krisin, tash tenist i pensionuar, me të cilin shoqërohet dhe e fton në familje, ku ky i fundit fillon të interesohet për motrën e Tomit, Kloin.
Matthew Goode është Tomi, Emily Mortimer motra e tij, Brian Cox e Penelope Wilton prindërit e tyre, dhe Jonathan Rhys Meyers është Krisi, amerikani, i cili ndonëse këndej rehaton jetën me Kloin, në anën tjetër fillon të ndiejë diçka për Nolën, Scarlett Johnasson.
Ndonëse mund të vini për të shikuar ScarJon, filmi mbetet i Jonathan Rhys Meyers, me karakterin e tij që ka një transformim goxha mirë të shkruar, e që e bën ndoshta arsyen kryesore për të shikuar këtë film.
Pra, është një trekëndësh dashurie, a katërkëndësh, që ka shumë arsye për të mos të pëlqyer, pos nëse je fans i verbër i Scarlett Johansson. Një “Downton Abbey,” me një episod mysafirësh amerikanë që përdhosin gjithçka britanike. Nota personale: 2/5

