Mean Girls (2004)

Mean Girls (2004)

Një prej shenjave të para që nuk je “normal,” prej flamujve të kuq të parë, është kur të pëlqen një karakter që nuk i pëlqen askujt.

Por, për Love Quinn prej serisë “You” ndonjëherë tjetër, pasi ka tjera “çika të liga,” nëpër filma, se për ato në jetën reale e shkruajmë një libër!

Dikur më vonë!

Trajektorja që ka marr Rachel McAdams me karaktere nëpër filma, nga “Mean Girls” deri te “ESC: The Story of Fire Saga” tregon më së miri zhvillimin e mentalitetit te një djalë adoleshent deri te një burrë!

E në anën tjetër, Lindsay Lohan me karrierën e saj dëshmon që për të gjithë ka një shans të dytë. Sikur të ishte e njëjta edhe për Amanda Bynes.

Si kryesorja e “Plastikeve,” Rexhina Xhorxh është mbretëresha në gjimnazin North Shore, ku për herë të parë në shkollë, pas viteve të udhëtimit nëpër Afrikë e jetës me kafshë të egra, vjen Kejti Heron.

E shoqëruar me Janisën dhe Damianin, ajo provon të gjejë rrugën nëpër jetën e gjimnazistëve derisa merret si “eksperiment” nga treshja plastike, ku duhet të veprojë edhe si spiune e dyshes fillestare.

Gjërat komplikohen kur Kejti dashurohet në ish-in e Rexhinës, gjë që fillon një betejë të fshehtë ndërmjet dy vajzave të cilat duan t’ia kalojnë njëra-tjetrës.

Është një nga klasikët e asaj periudhës së ndërrimit të mileniumeve kur filmat e seritë për adoleshencës, ndoshta nxitur nga hovi i zhvillimit teknologjik mbërrinin popullaritet të jashtëzakonshëm, dhe ende mbeten në përditshmërinë tonë qoftë si “meme” qoftë me citate e skena legjendare.

E ky film është i veçantë ndoshta për shkak të inkuadrimit të karaktereve dytësore përgjatë gjithë filmit, nisur nga legjendat e Saturday Night Live si Tim Meadows, Amy Poehler e Tina Fey, njashtu edhe për skuadrën e plastikeve, Janisin e Damianin, dhe nxënësit tjerë të cilët thjesht zbusin ndikimin e dy karaktereve kryesore duke e bërë këtë më shumë se një luftë “mbretëreshash.”

Filmi gjithashtu do të ishte një fillim i mbarë për Amanda Seyfried, Lizzy Caplan, e të mahnitshmes Lacey Chabert që ende sundon filmat e “hallmark.”

“Mean Girls” është histori e veçantë gjimnazi që përbrenda vetë filmit ka histori aq mirë të përpunuar, për një kohë relativisht të shkurtër, sa që kalon sa hap e mbyll sytë. Ndoshta “fajin” për këtë e ka edhe Tina Fey që bën skenarin, e padyshim edhe Mark Waters që është i njohur për regjisor për filma të këtij zhanri.

Krejt këto e bëjnë “Mean Girls” një film të përkryer për adoleshentët, me një kastë yjesh në ardhje, dhe histori të shtjelluar për mrekulli. Nota personale: 5/5