Michael (2026)

Michael (2026)

Njëri nga befasitë e këtij viti, është ky film për mbretin e muzikës pop, Michael Jackson, një biografi që merret kryesisht me zanafillën e tij.

Më pëlqejnë këto histori që japin një periudhë para famës, një periudhë larg asaj që njihet nga shumica, sado që mund të ketë ndërhyrje kreative në narracionin e ngjarjes.

Kështu, historia e Michael Jacksonit fillon herët, në familje me patriarkun që kërkonte t’i bënte medoemos të famshëm, dhe mbi të gjitha një burim të frytshëm së të ardhurave financiare.

Nga debutimi në skenë, si të rinj, Jackson Five, deri te faza e parë e pavarësimit të Michael Jacksonit, ky film, nën skenarin e John Logan, i njohur për shkrimin e filmave për agjentin 007, dhe jo vetëm, zhytet në detaje që i japin jehonë fëmijërisë dhe familjes Jackson, dhe ndërtojnë një themel për atë që duhet të jetë një seri filmash për jetën e këngëtarit.

Marr parasysh suksesin komercial dhe artistik, vazhdimi duhet të jetë vetëm çështje kohe.

Aktrimi, nuk e di si ta përshkruaj, ndoshta i mbetet besnik, e ndoshta teprohet në këtë drejtim, por përkundër fakti që nipi i tij, Jaafar Jackson luan rolin e Michael, disi mbetet sa origjinal, aq edhe i “pazëshëm,” ashtu si vetë aktori në jetën reale, ndoshta!

E ndoshta, Colman Domingon, në rolin e babait të tij merr skenën kurdo që shfaqet, me paraqitje shpërthyese në monologë, duke treguar veten si një kryefamiljar i pakompromis, “klasik.”

Nuk më ka pëlqyer aq shumë njëfarë shtytje, presioni për të krijuar një antagonist në të, për të ngritur karakterin e djalit të tij më shumë, dhe kjo është ndier si e sforcuar, edhe atë shumë herët.

Më shumë se një luftë e jashtme, narracioni ka provuar të kthehet në një luftë të brendshme, ndoshta për t’i dhënë zjarr historisë, por, edhe ndoshta për t’i qëndruar besnik të vërtetës. Nuk e di.

Megjithatë, filmi është i këndshëm, i mirë, por pak i pazëshëm, shumë i butë. Nota personale: 3/5