Michael Clayton (2007)

Michael Clayton (2007)

Tony Gilroy është fantastik si skenarist, nga seria e Bourne deri tek Andor, që janë dy vepra arti superior, midis tyre ka filmin që do të duhej t’i jepte George Clooneyt Oskarin e shumë merituar për aktrim, ku bën debutimin e tij edhe në regji.

“Michael Clayton” është fenomenal në çdo aspekt.

Nga aktrimi deri te pjesa teknike, gjithçka është në nivel, por asgjë nuk i afrohet historisë, ngjarjes që trajton.

E në këtë film, George Clooney është Michael Clayton, një pastrues, siç e pranon edhe vetë ai – sa më pak tollovi, aq më lehtë e ka ta pastrojë.

Veçse Clayton nuk pastron bërllok. Ai është një “fikser” që ndreq gjithçka që duhet të rregullohet larg syve, larg procedurave të rregullta të ligjit – aksidentet, skandalet, krizat tjera morale, sa për punonjësit e firmës ligjore për të cilën ai “kujdeset” edhe më shumë për klientët e tyre.

Mirëpo, krejt kjo mesele i ka ardhur në maje të hundës, dhe në ditët në vijim, zullumi që thonë se këputet për së trashi, ka mbërritur pikën e këputjes.

Ndonëse i lodhur, në borxh deri në fyt, i divorcuar, dhe me barrën e krejt “ndreqjeve” të së kaluarës, Michael Clayton duket se po i afrohet fundit të detyrës së tij, dhe tash duhet të zgjedhë se cilën rrugë do të marrë, për një finale spektakolare.

George Clooney ka rolin e karrierës, së paku deri atëherë. Përkrahë tij, në karaktere të ndryshme janë Tom Wilkison, Tilda Swinton, dhe Sydney Pollack, që të gjithë shkëlqejnë. Tony Gilroy bën regjinë dhe skenarin, e filmi ka pasur shtatë nominime për Oskar, me Swintonin që e ka fituar për rolin e saj.

Është ndër filmat më të mirë triler me temë korporatat dhe ligjin që është bërë në këtë shekull. Nota personale: 5/5