Mickey 17 (2025)

Mickey 17 (2025)

Në vitin 2050, Miki i bashkohet një anijeje hapësinore për të kolonizuar një planet të akullt. Në këtë mision, Miki përzgjidhet si pjesë e skuadrës për punë të rrezikshme, të cilat shpesh rezultojnë me vdekje, por “e mira” e kësaj është që çdo herë që vdes Miki, një klon i ri do të zë vendin e tij.

Kështu, mbërrijmë te Miki 17 i cili qysh me fillimin e filmit është në një situatë serioze, nga e cila duhet të shpëtojë apo të pranojë fatin dhe të pres versionin tjetër të tij, Miki 18.

Miki është Robert Pattinson, Mark Ruffalo është shefi i misionit me gruan e tij Toni Collette, e në rolet tjera vijnë edhe Naomi Ackie, Steven Yeun, e emra të tjerë më pak të njohur.

Filmi vjen në regji dhe skenar të Bong Joon Ho, adaptuar nga një novelë. Pjesa teknike e filmit duket në nivel, por nuk funksionon si produkt final me shumë shkëputje mes ngjarjes, aktrimit, e pjesës teknike. Duket si një film me editim të dobët!

Provon të jetë pak komedi, më shumë fanta-shkencë, e në fund nuk e di as vetë se çka mbetete!

Nëse shohim pjesë të caktuara, të ndara të filmit, momente, janë të kënaqshme. Krejt kjo deri kur fillojmë të nxjerrim një kuptim të përgjithshëm, që përsëri provon të shërbehet në pjesën e dytë të filmit.

Mund ta krahasojmë me Snowpiercer, të cilin e bën Bong Joon Ho, por ai mbetet prapë më i mirë, më i kapshëm se Mickey 17. Nota personale: 3/5