Ekziston një adet tek pleqtë që e kaluara ishte më e mirë se e tashmja. Normale është kjo nëse e shohim nga aspekti fizik, por ekziston edhe një ide që disa e paramendojnë të kaluarën para lindjes së tyre si një periudhë shumë më e mirë se ajo në të cilën jetojnë.

Sigurisht që të ‘50tat janë më të mira se 2020tat deri kur mendojmë mungesën e internetit, televizorëve me ngjyra, vonesave të transportit e informatave.

Gil, një skenarist që provon të shkruaj një libër, shkon me të fejuarën e saj – Inez, dhe vjehrrinë në Paris.

Derisa Gil, si një artist sheh Parisin si një inspirim për të “çelur” kreativitetin e tij, Inez me prindër e shohin krejt ndryshe – argëtim, shoping, dhe jo-Amerikan!

Të ndarë gjatë një shëtitje, Gil në mesnatë takon një veturë të viteve 1920ta e cila e merr dhe e dërgon në Parisin e asaj kohe. Gjatë këtyre udhëtimeve ai takon disa nga emrat që e inspirojnë atë – Hemingway, Scott Fitzgerald me grua, Picasson, T.S. Eliotin, e edhe Adrianën.

Është e pamundur që në filmat e Woody Allen të mos shohim karakterin kryesor një tip ekscentrik si vet ai. Kështu është Owen Wilson në rolin e Gil, të cilin e portretizon për mrekulli. Gjithë ato karaktere të viteve 1920ta vijnë nga emra si Kathy Bates, Tom Hiddleston, Corey Stoll, e Marion Cotillard si Adriana.

Pra, një kallaballëk yjesh, qysh e ka adet Woody Allen! Dhe si zakonisht, të gjithë shkëlqejnë në ato pak minuta, përfshirë edhe këta të Parisit të 2010tave – Michael Sheen, Rachel McAdams, e Kurt Fuller!

Aktrimin mënjanë, filmi është plot nostalgji për Parisin e të dy periudhave, dhe jo vetëm, me pamje eksterieri që arsyetojnë lakminë e karakterit të Gil, dhe njëkohësisht sfidojnë mendimin e tij dhe të shumë vetave që një periudhë e mëhershme ka qenë më e mirë se ajo në të cilën jetojmë.

Dhe pjesa e fundit e filmit tregon edhe një herë mjeshtërinë e Woody Allen në skenar, e film në përgjithësi, duke e bërë këtë film ndër më të mirët në karrierën e tij, e sigurisht më të mirin e dekadës së kaluar nga pena e tij. Nota personale: 5/5