Mona Lisa Smile (2003)

Mona Lisa Smile (2003)

Në atë që mund të shihet, por që nuk është, versioni femëror i “Dead Poets Society,” Julia Roberts luan rolin e Katerinës, një mësues e historisë së artit, e cila në vitin 1953 merr detyrën e ligjërueses në një kolegj prestigjioz, konservativ, të vajzave në Masaçusets.

Me të ardhur në detyrën e saj të re, Katerina mëson që nxënëset e saja janë goxha inteligjente dhe të zgjuara, por kolegji është diçka krejt e kundërt – është një vend që mbi edukimin dhe zhvillimin e vajzave në aspektin arsimor, vë në plan të parë përgatitjet për martesë dhe rolin e shtëpiakeve, larg karrierës dhe jetës së tyre të pavarur.

Katerina do të marrë përsipër misionin për të reformuar, në heshtje, këtë kulturë nënshtruese të vajzave, dhe fillon të devijojë edhe nga ligjërimet që i servohen, e edhe nga jeta që i komandohet.

Filmi është i mirë, por nuk mund t’i ikësh idesë se është një kopje veçse në periudhë tjetër dhe me karaktere tjera, dhe provon të bëhet diçka që nuk mund të arrijë, assesi.

Por, aktrimi është fenomenal, harmonia ndërmjet aktoreve dhe dedikimi i tyre për karakteret që portretizojnë është goxha mbresëlënës. E kuptohet, është një film goxha feminist, që e bën edhe më të veçantë për këtë zhanër.

Julia Roberts është në nivel, Kirsten Dunst, Julia Stiles, Maggie Gyllenhaal, e Ginnifer Goodwin bëjnë një punë goxha të mirë në rolet tjera kryesore. Dominic West e John Slattery janë në anë të kundërta të historisë, e Marcia Gay Harden është si gjithmonë, sjell karakterin e saj me plot elegancë.

Është film i mirë, sidomos nëse nuk keni parë “Dead Poets Society,” dhe nuk bëni paralele me këtë film, por kjo është e pamundur pas këtyre rreshtave. Në vete, “Mona Lisa Smile” është goxha i mirë. Nota personale: 3/5