Filmi që prishi sportin!
Në fillim të këtij sezoni të bejsbollit, me që rast seria prej katër filmave për këtë sport që përfundon sot, skuadra Athletics janë zhvendosur në Sacramento pasi kanë braktisur Oaklandin me idenë për të shkuar aty ku po shkojnë të gjithë – Las Vegas.
Është historia e Athletics, shkurtimisht A’s që shtjellohet në këtë film bazuar në librin e Michael Lewis, për Billy Beane i cili përkundër buxhetit të vogël provon të bëjë më të mirën duke rekrutuar lojtarë që duken të padobishëm, por falë analizës së statistikave të Beane, ata gjejnë vend dhe vlerë kur vijnë te A’s.
Është një gjë që ka nxitur tjerët të provojnë të imitojnë punën e Beane në sporte tjera dhe me suksese më të mëdha, por kryesisht kjo vetëm çka ka sjellë ekipet e mëdha në nivele më të ulëta, nisur nga Milani im!
Një pasojë tjetër edhe më e frikshme është që tash kemi “tipa” që komentojnë futbollin me shifra derisa për 90 minuta nuk dinë çka shohin, e ngjashëm edhe sportet tjera. E të komentosh sportin me numra është si të përshkruash një vajzë të bukur me numra e fjalë – duhesh me pa!
Filmi në vete është një storie e këndshme e një ekipi që lufton kundër gjigantëve në një ligë me tipare komuniste, si të gjitha ligat profesioniste në SHBA.
Aktrimi i Brad Pitt është ndër më të mirët e karrierës, dhe ndoshta roli i tij më i pjekur ndonjëherë në film, e përkrah ka Jonah Hill e Philipp Seymour Hoffman. Skenari vjen nga i mrekullueshmi Aaron Sorkin i cili bën një punë të përkryer, falë edhe përvojës nga “Sports Nights.”
Është ndër filmat më të mirë për sportin, fatkeqësisht i keqkuptuar e shfrytëzuar në jetën reale nga ata që e duan biznesin më shumë se sportin. Përkundër kësaj “Moneyball,” përderisa shihet si një histori sporti ku i nënshtruari provon të fitojë në një botë të padrejtë, është i mrekullueshëm si film. Nota personale: 5/5

