Prej momentit kur zbret prej veturës së tij legjendare, nga treni lodër, nëpër trenat e tanket, deri në momentin final, për 90 minuta, udhëtimi i Mr. Bean për në pushime është film i përsosur.
Aq shumë hapet historia sa që kur nis të përmbyllet para finales, sikur në filozofinë e Kantit (a Kierkegaardit) gjithçka ka kuptim, si një kolazh jete, një aventurë që me të gjitha peripecitë, nga ngujimet në tualete rruge, tentim-vjedhjet e motoçikletave, e deri te shfaqjet teatrale për monedha telefoni.
Mbi të gjitha, kjo aventurë është një ode e jetës së Mr. Bean në ekran duke rikujtuar disa nga episodet e tij madhështore – dreka ekstravagante por e pashijshme, shfaqja teatrale për monedha, te vallëzimi i tij i veçantë.
Këto e bëjnë një freskim të asaj periudhe ku Fasulja ishte burim kryesor i të qeshurave.
Për dallim prej filmit të parë kur Mr. Bean shkon në Kanada, kësaj radhe kemi shumë më pak dialog, dhe më tepër mimikë e komedi të kësaj natyre. Dhe mbi të gjitha, Mr. Bean mund të jetë i pari që bën “selfie.”
Ndonëse me 100 telashe, që mund të zbehin komedinë në disa skena, Mr. Bean mbetet i dashur si nga ne shikuesit, ashtu edhe nga karakteret tjera që ka në përreth në film, pos nga Karson Klej.
Willem Dafoe ia vlen të jetë pjesë veç për zërin e tij, e Maxim Baldry, nga shoku i vogël i Fasules, do të rritej të bëhej Isilduri i historisë së LOTR në serinë “Rings of Power.”
Emma de Caunes si Sabina, e personeli i angazhuar mbrapa kamerave, përkundër një vepre të përkryer, mbeten në sfond, me këtë film si arritja e tyre më e njohur ndonjëherë.
Kur shoh këtë film, hamendësoj se ndoshta do të duhej të kishte vazhdime tjera, për shkak të suksesit në kinema sidomos. Por, ndoshta është mënyra më e përkryer për të ruajtur trashëgiminë e njërit nga karakteret më komike në histori të televizionit.
E “Mr. Bean’s Holiday,” është një film që mbron dhe nderon këtë trashëgimi të karakterit legjendar të Rowan Atkinson. Nota personale: 5/5

