Mr. Nice Guy (1997)

Mr. Nice Guy (1997)

Rruga e Jackie Chan në Hollywood do të kalonte nga Australia me filmin e tij të parë të xhiruar në anglisht, disa kanë qenë të dubluar më vonë ngjashëm si ata me Bud Spencerin e spageti-uesternat tjerë.

Në filmin për “djalin e mirë,” Xheki është një kuzhinier që gatuan në një emision të drejtpërdrejtë në Melburn të Australisë, me një jetë normale, të rehatshme, dhe ashiqare shumë të shijshme.

Por, kjo rehati përfundon kur ai takon Dianën, një gazetare e cila ka xhiruar pamje të dy grupeve rivale kriminale të një ujdie që nuk ka shkuar si duhet. Në njërën anë janë italianët e udhëhequr nga Xhankarlo, e në anën tjetër Djajtë. Dhe këto pamje, paqëllimshëm, përfundojnë te Xheki, i cili tash është cak i të dy grupeve kriminale.

Mu sikur një kuzhinier që nuk e ka idenë si të rrihet me tjerët, ashtu edhe Xheki anembanë filmit sjell lëvizjet dhe stilet e tija që duken amatore, por si gjithmonë kanë një sinkronizim, një koreografie të mrekullueshme dhe komike njëkohësisht, që do ta bënte atë yll të këtij zhanri të filmave për kohë të gjatë.

Kombinimi i këtyre lëvizjeve me humorin e Xhekit para një finaleje senzacionale e bën këtë film edhe një lloj transformimi të një djalit të urtë në një burrë që rrah këto që i del përpara, por gjithmonë duke ruajtur epitetin që i jepet nga titulli i filmit.

Ashiqare Jackie Chan është i mahnitshëm fund e krye, pa pasur nevojë për tjerët t’i kryejnë skenat e tija, e në rolet dytësore nuk ka ndonjë emër aq të njohur, e as që do të na binte në sy, pos emërtimeve klasike – italiani, mafiashi, ajo çika.

Film tipik i Jackie Chan, por me një fund bajagi interesant. Nota personale: 4/5