“Kush shikon jashtë, ëndërron; kush shikon përbrenda, zgjohet,”
Carl Gustav Jung.
Kështu mund të definojmë temën e këtij filmi, i cili ndoshta pak për shkak të historisë, e pak më shumë për shkak se është i David Lynch, lë hapësirë për shumë kuptime e shpjegime të këtij filmi.
Një grua, pas një aksidenti në rrugën Mulholland Drive, humb kujtesën, të cilën e kërkon me shoqen e saj gjersa shëtiten nëpër qytetin e Los Anxhelosit për të mësuar të vërtetën që gjithmonë është në një udhëkryq ndërmjet ëndrrave dhe realitetit.
Filmi është një vepër filozofike në vete, të cilën sa herë që e shikon, arrin në përfundime të reja e nxjerr kuptime tjera nga e njëjta ngjarje.
Është vepër tipike e David Lynch, por prapë, bazuar në historinë që ishte planifikuar si një pilot episod për seri televizive, e më pas e përshtatur për film artistik, mund të jetë një punë e lënë në gjysmë me një fund të përshpejtuar që ndoshta mund të humb diçka gjatë shtjellimit të historisë.
Kjo ndoshta na shërben si një lloj ngushëllimi për t’i shpjeguar dikujt pse na pëlqen aq shumë ky film që sa shkon e bëhet më i komplikuar, aq më shumë na tërheq përbrenda duke na shtyrë ta teprojmë me mendime e analiza, kur në fakt vetëm mund të shijojmë fotografinë magjepsëse dhe aktrimin e Naomi Watts e Laura Harring.
Kjo nëse na pëlqen të ëndërrojmë, e nëse duam të shikojmë përbrenda, mund të hasim në shumëçka shqetësuese që e kemi pasur para syve, por e kemi injoruar. E fatkeqësisht, këto gjëra nuk janë si një “person” vëmendja e së cilit nuk ju pëlqen, dhe me injorim, dikur do të largohet nga jeta juaj.
Më shumë se film, Mulholland Drive është një vepër filozofike që vjen si film për të testuar pjekurinë tonë spirituale dhe mendore, ndoshta edhe si portë që na shtynë te ballafaqimi me nën-ndërdijen tonë. Nota personale: 5/5

