Gjithmonë e them se 28 është mosha më e mirë në jetë, periudhë që zgjat deri në 32 vjeç, ku fillon të mendosh “më thellë” për jetën.
Pak para se të mbush 28 vjeç, Xhuliana – kritike ushqimi, që është e vetmja gjë më e mirë se kritik filmi – merr një telefonatë nga miku i saj më i mirë, Majkëlli, gazetar sporti – që është e vetmja punë më e mirë pas dy “profesioneve” të lartcekura.
Majkëlli po martohet, pas katër dite, edhe atë me një vajzë 8 vjeç më të re se ai, babai i së cilës është pronar i një skuadre bejsbolli. Ky lajm trazon Xhulianën e cila tash e sheh Majkëll si më shumë se shok dhe vendos të prishë dasmën!
Është një komedi romantike e dekadës së të ‘90tave, që si gjithmonë janë filma që të ngrohin zemrën dhe të kënaqin për ata 100 e kusur minuta që shfaqen, përkundër asaj që tema në plan të parë mund të duket paksa si “Rubi,” a “mozomakeq.”
Julia Roberts e Dermot Mulroney vijnë në rolet kryesore, ndërkohë nusja është Cameron Diaz, e Rupert Everett është “bashkëpunëtori” i Xhulianës në krejt marifetin e saj.
“My Best Friend’s Wedding” është një aventurë kur dy shokë të mirë rrezikojnë gjithçka nga frika e ndryshimeve që i presin në jetë, më shumë se nga ajo ideja se “bestiet janë veç plani rezervë” nëse planet ABCD etj nuk “dhezin.”
Aktrimi i Julia Roberts dhe atmosfera verore, me një kolonë zanore të këndshme e bën këtë njërin nga filmat rom-kom më të nënvlerësuar të viteve ‘90ta. Nota personale: 4/5

