Me qëllim që të kalojë më shumë kohë me familjen, Kllarku vendos t’i hipë veturës dhe nga Çikago, duke kaluar anembanë vendit, të shkojnë në parkun rekreativ familjar më të mirin në vend, e i cili gjendet në Kaliforni.

Plani i tij qysh në fillim has në vështirësi – vetura e preferuar e tij nuk do të jetë gati, kështu që ngujohet në një “karavan” të shëmtuar. Dhe ky është vetëm fillimi.

Përgjatë udhëtimit, taksirate të ndryshme do të ndjekin familjen Grisuolld që përfundojnë në lokacione të papritura, te familjar të çuditshëm, e edhe arrijnë një vend ku është “fundi i rrugës.”

Chevy Chase e ka një fytyrë komike nga vetë natyra, dhe karakteri i tij si kryefamiljar këtu e bën ndoshta edhe më të njohur në profesionin e tij të aktrimit pasi seria e filmave për pushimeve fillon me këtë film, për të vazhduar me destinacione e aventura të shumta ndër vite, gjithmonë në tentim të kopjimit të suksesit të këtij filmi.

Sot, mendoj që oreksi për komedi ka ndryshuar në dallim me botëkuptimin që ka komedia në këtë film, pasi mund të duket si një komedi që të qeshurat i ka në fatkeqësitë e dikujt tjetër.

Por, në fakt, nëse nuk filozofojmë panevojshëm si tash, është një aventurë e këndshme familjare, me karaktere të ëmbla, dhe një familje që mund të duket naive, por në fakt është një familje normale që krejt çka dëshiron në këtë film është më shumë kohë me njëri-tjetrin. Nota personale: 4/5