Sado që tentojmë të kemi atë pavarësinë, individualitetin, në fund çdonjëri nga ne është veçse një kolazh i reaksioneve ndaj dhe aksioneve që ka rrethina në ne, përfshirë edhe dashurinë.
Nga një ndjenjë sublime në një reagim ndaj traumës, dashuria ka evoluuar me kohën gjatë gjithë njerëzimit, nga një proces shumimi në një veprimtari shfryrëse “pa detyrime,”(siç përkthehet te SkyShowtime) si është edhe ky film i Ivan Reitman me skenarin e kreatores së “New Girl,” Elizabeth Merriweather.
Që nga adoleshenca shihet se Ema ka një pikëpamje tjetër ndaj dashurisë me atë të Adamit. Pas takimit të tyre të parë, ata dy ndeshen edhe shumë herë, por gjithmonë vetëm si shokë, deri kur një natë, Adami i dehur nga fakti që i ati ka fjetur me ish-të dashurën e tij telefonon të gjitha femrat. Të nesërmen ai zgjohet në apartamentin e Emës, dhe pa kaluar shumë kohë ata vendosin të fillojnë një lidhje “pa detyrime.”
Ideja e filmit për të shtjelluar qasjen e marrëdhënieve intime si reagim ndaj traumës që buron nga frika për zemërthyerje e zhgënjim është e mirë, por jo aq inovative. Dhe duke provuar të bëhet diçka e veçantë, filmi dështon të përcaktohet a të jetë një romancë e thjeshtë apo një zbërthim i psikologjisë së karakterit të Emës.
Në fund, mbetet një aktrim fenomenal i Natalie Portman që arrin të përçojë deri në fund karakterin e saj, dhe atë falë harmonisë skenike që kanë me Ashton Kutcher.
“No Strings Attached,” përfundon si një ide jo mirë e shtjelluar, duke lënë të pakënaqur si neve që dashurinë e shohim si një emocion i virtytshëm, si ata që e përziejnë dashurinë me marrëdhënie seksuale thjesht si shfryrje fiziologjike. Nota personale: 3/5

