Normal (2026)

Normal (2026)

Ky është filmi i përkryer për fansat e Nobody.

Dhe për fansat e Fargos.

Bob Odenkirk kombinon këta dy tituj kur ngarkohet me detyrën e sherifit në një vend të panjohur në Minesotta, të quajtur si titulli i filmit, Normal.

Në Normal, asgjë nuk ndodhë, dhe krejt është normale, por para se të shohim këtë normalitet në Amerikën e acartë, së pari e nisim filmin në Japoni ku jakuzat qërojnë disa hesape për të cilat nuk e kemi idenë se çka a pse po ndodhin.

Pas këtij aksioni, kthehemi në Normal, ku gjithçka është normale për kohën më të madhe, pos një mysafireje që vjen në qytet, dhe e cila më pas do të sulmojë bankën, e cila nuk ka asgjë të vlefshme.

Por, kureshtja shtynë këtë çift të kërkojë diçka më shumë, dhe në krejt këtë tollovi, Sherifi mbetet në mes dy zjarreve, pa e ditur se çfarë po ndodhë, sikur të jetë rrasur në një lëmsh të teorive konspirative.

Filmi është i Bob Odenkirk i cili ka një rol interesant, me një aktrim fantastik. Është i përkryer në portretizimin e karaktereve pak të humbura në shikim të parë, por që duket se kanë diçka më shumë përbrenda.

“Normal,” ka aksion, të shtëna, qetësi, bukuri natyrore, borë. Është një histori mirë e shtjelluar, goxha mirë, aktrim fenomenal, dhe një fotografi të mahnitshme. Mund të jetë nga filmat më pak të përfolur të vitit, por jashtëzakonisht i mirë. Një xhevahir i fshehur siç e quajnë. Nota personale: 5/5