Një ditë pas Shën Valentinit, dhe kur i sheh krejt ato çiftet e lumtura nëpër rrjetet sociale, nga vetmia e rëndë, ti çohesh edhe e bën një lutje që kjo mizerie të mbarojë.
Në vend të princit, lutjen e dëgjon një vampir, i cili merr rrugë te ti, ani pse ndërkohë ti e gjen dashurinë e jetës tënde.
E ngjashme është historia e Elenës, e cila tash e martuar me Tomasin, e parandien prezencën e qenies mbinatyrore që e ka pushtuar atë duke e bërë të humb edhe veten në shumë raste.
Historia e shtjelluar nga Robert Eggers, bazuar në Drakulën, është një kombinim i horrorit me fantazinë, me një regji fantastike për një film të këtij zhanri, derisa fotografia e përsos edhe më shumë “Nosferatun.”
Lily-Rose Depp, Nicholas Hoult, e Bill Skarsgard vijnë në rolet kryesore. Derisa jam i njohur me punën e të dyve, në projekte e role të ngjashme, e bija e Depp është befasi interesante me punën që bën në rolin kryesor.
Ndonëse nuk jam fans i filmave horror, të cilët zakonisht shfrytëzojnë ekstremet e fotografisë dhe zërit për të ngjallë frikën te shikuesi, Nosferatu mbetet ndër horrorët e pakët që më kanë kënaqur.
Kjo nga fakti se vetë historia bëhet e frikshme pa pasur nevojë të presësh momente kur të arrijnë majat, e që mund të themi se fund e krye, nga skena e parë deri në finale, filmi është horror në çdo moment, kryesisht edhe falë fotografisë.
Më shkurt, Nosferatu mbetet një horror artistik i realizuar për mrekulli nga Robert Eggers. Ndër filmat më të nënvlerësuar të vitit mbase. Nota personale: 5/5

